“Vjedhje e pronës së qytetarëve’, Gjykata Kushtetuese nuk e shqyrton padinë e LSI-së për Korporatën e Investimeve Shqiptare

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mos e marrë në shqyrtim padinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kërkonte shfuqizimin e ligjit Për Korporatën e Investimeve Shqiptare, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Vendimi është marrë në datën 28 Mars, pavarësisht pretendimeve të LSI-së se ligji cënon lirinë e pronës.

“Ky ligj synon përqendrimin e gjithë pronave të shqiptarëve, publike dhe private, në një dorë të vetme. Krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare, nuk është asgjë tjetër veçse vjedhja, transformimi dhe tjetërsimi i çdo prone me ligj të posaçëm.

Përjashtimi i Korporatës nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik, mënyra e krijimit, funksionimit dhe organizimit të saj, mospërcaktimi i qëllimshëm i rolit të shtetit si rregullator në këtë ligj dhe dhënia e pozitës dominante në treg, shkel shumë parime të rëndësishme të demokracisë, shtetit të së drejtës, sigurisë juridike, tregut të lirë e konkurrencës si dhe barazisë në ligj e përpara tij, parime të cilat garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi kriminal i këtij ligji bëhet akoma edhe më i dukshëm në kushtet kur shqiptarëve ende iu zgjat agonia për çështjen e pronave, një problem madhor i 30 viteve të fundit, i cili për fat të keq ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Kundër këtij ligji u shpreh edhe Komisioni i Venezias, Departamenti Amerikan i Shtetit, Këshilli i Europës dhe Banka Botërore, por asnjë nga këto nuk e ndaloi planin kriminal të Edi Ramës për zhvatjen e pronave të shqiptarëve. Për gjithë sa përmendëm më sipër, Lëvizja Socialiste për Integrim, në respektim edhe të afatit ligjor, ka vendosur t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese me një tjetër padi.

Në këtë padi do të kërkojmë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit nr. 71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” dhe pezullimin e zbatimit të tij e të çdo akti nënligjor të nxjerrë për zbatimin e këtij ligji, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të bëjmë çdo përpjekje ligjore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që interesat e tyre të ligjshme të mos cënohen”, shprehej LSI teksa dorëzonte padinë në Kushtetuese.

Çfarë është Korporata e Investimeve Shqiptare

Korporata e Investimeve Shqiptare është krijuar me ligjin e fundit të vitit 2019. Është krijuar si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione. Synon menaxhimin e pronave të shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata.

Për zhvillimin dhe zbatimin e një projekti investimi, Korporata mund të mbështetet nga Shteti me infrastrukture ndihmëse, të tilla si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion.

Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit.

Zjarr Tv Ad