Vjen reagimi i parë i opozitës së bashkuar për listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve

0
146

Opozita e bashkuar ka reaguar pas një heshtje disa ditore, në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve para zgjedhore. Në një dekleratë për mediat, opozita bën të qartë se dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore. “Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.”- thekson opozita e bashkuar. Po ashtu në deklaratë bëhet me dije se opozita e bashkuar ka informuar ditën e sotme zyrtarisht Presidentin e Republikës dhe partnerët strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme. Opozita e cilëson këtë si një provokim të ulët të Edi Ramës dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane. Reagimi i plotë; Opozita e Bashkuar dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore.  Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Ky veprim diabolik po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet. Ai dëmton rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë braktisur dhe tradhëtuar nga kryeministri në ikje, duke i lënë të vetëm përballë krizës më të thellë të pandemisë dhe atë ekonomike që është pasojë direkte e dështimit dhe papërgjegjshmërisë së tij dhe qeverisë së tij. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane. Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme. Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament.