Vjosa Osmani dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot do të mbajnë një konferencë për media, ndërsa bëhet e ditur se; lista e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të garojë në kuadër të Vetëvendosjes.
Konferenca do të mbahet pas pak minutash, përpara shtatores së heroit Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Afati për aplikim të subjekteve politike, për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit, është deri të shtunën më 16 janar, në ora 18:00
Lëvizja Vetëvendosje deri tani, nuk ka bërë koalicion parazgjedhor, me asnjë nga subjektet politike.
Por në LVV, thonë se; janë treguar të hapur për bashkëpunim me disa figura të rëndësishme politike. Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se; tashmë ka një modalitet të bashkëpunimit të tillë me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës.
Gjithashtu, ai ka shtuar se; ngjashëm ka vullnet edhe gatishmëri për një bashkëpunim edhe me Vjosa Osmanin. “Ngjashëm ka një vullnet, disponim dhe gatishmëri, për një bashkëpunim edhe me znj. Osmani dhe nismën e saj, për çka ka një proces në zhvillim e tutje mbi formën apo modalitetin e konkretizimit të tij”, ka thënë Kryeziu.