Vjosa Osmani konferencë me homologun letonez: Serbia po bllokon dialogun, ne do të jemi konstruktivë

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Letonisë, Egils Levits dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të zhvilluar ditën e sotme,  kanë mbajtur një konferencë të përbashkët.

Zoti Levis shprehu mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për liberalizimin e vizave. Ai foli edhe për bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n, ndërsa tha se është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet Partneritetit për Paqe.

“Së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet Partneritetit për Paqe. Mendoj se tani është koha e duhur por varet nga NATO. Është shumë me rëndësi të fuqizohet bashkëpunimi… Letonia e përkrahë këtë hap”, tha ai.

Ndërsa presidentja Osmani ka shfrytëzuar konferencën për të akuzuar shtetin serb se është bllokues i procesit të dialogut mes dy vendeve. Ajo shtoi se Kosova ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar Bashkimi Evropian , sa i përket marrëveshjes mbi targat.

“Jo vetëm marrëveshja për targat, por edhe marrëveshje të tjera të cilat ne si Republikë e Kosovës i kemi shtyrë përpara në përputhje të plotë me parimet dhe standardet më të larta evropiane, për fat të keq janë bllokuar nga ana e Serbisë, pasi Serbia nuk po i pranon këto parime evropiane.

Prandaj, Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar dhe BE-ja në përputhje me kriteret dhe parimet e BE-së. Por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që shkakton pala tjetër. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje dhe ajo që ju siguroj është se Kosova do të jetë palë konstruktive, ndërkaq se si do të sillet Serbia, është çështje e tyre, por sjellja e deritanishme vetëm se e ka bllokuar progresin në dialog”, tha Osmani.

Zjarr Tv Ad