Në qytetin e Vlorës, tre automjete janë djegur në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e “Ujit të ftohtë”.
Automjetet e djegura janë një “Smart”, një “Audi A3” me targa AA 060 HB dhe një “Land Rover” me targa italiane DX 887 YP. Sipas Policisë dyshohet se automjetet janë djegur me lëndë djegëse (benzinë), ndërsa mësohet se ato kanë shpërthyer rreth orës 01:58. Automjetet “Smart” dhe “Audi” mësohet se janë në pronësi të E.H., 26 vjeç, ndërsa automjeti tip “Land Rover” me targa italiane, e hallës së tij, kjo e fundit e martuar me një shtetas italian.
Policia e Vlorës konfirmon se ata kanë në bashkëpronësi një lokal pranë Gjykatës së Vlorës. Sipas Policisë sqarohet se fillimisht ka marrë flakë automjeti tip “Smart” dhe më pas “Audi”, të dyja këto automjete të parkuara pranë njëri-tjetrit, ndërsa më pas ka marrë flakë edhe automjeti tjetër tip “Land Rover”.
Policia është duke u hetuar për shkaqet e ngjarjes, ndërsa në vendin ku ka ndodhur djegia e automjeteve, shtetasi E.H kishte edhe shtëpinë e tij, në një pallat në zonën e “Ujit të ftohtë”. Aty automjetet ishin të parkuara, ndërsa flakët janë evidentuar nga vetë të dëmtuarit, por edhe banorë,që kanë lajmëruar menjëherë Policinë dhe forcat zjarrfikëse. Këto të fundit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, por automjetet kanë pësuar dëmtime të mëdha, ndërsa “Smart”- i është djegur plotësisht.
Dy automjetet e tjera kanë dalë jashtë përdorimit, pasi janë djegur totalisht në pjesën e motorit, ndërsa dëmtime kanë pësuar dhe në pjesë të tjera. Nga vëzhgimi e kamerave të sigurisë, burime pranë Policisë tregojnë se ishin tre persona të maskuar me kapuça, ata të cilët mendohet të kenë kryer këtë akt, duke i spërkatur makinat me lëndë djegëse (benzinë) dhe më pas duke i vënë flakën.
Pronari i makinave, gjatë marrjes në pyetje, ka shpjeguar se nuk ka pasur konflikte të hapura. 26-vjeçari punonte në lokalin e tij në afërsi të Gjykatës dhe nuk kishte pasur asnjëherë probleme. Hetimet e Policisë konfirmojnë se janë përqendruar kryesisht në biznesin e tij, pasi një nga shkaqet dyshohet të jetë konkurrenca.