Vodhën sekretet shkencore në spital, çifti kinez e pëson keq në SHBA

0
10

Një çift kinezo-amerikan është arrestuar dhe përballet me akuzat se kanë vjedhur sekrete shkencore nga një spital pediatrik në Ohajo. Ky është një tjetër rast i ngritjes së akuzave nga autoritetet federale me synimin për t’u prerë rrugën vjedhjeve të pronës intelektuale, për të cilat Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën.

Autoritetet njoftuan të hënën se çifti Yu Zhou, 49-vjeç dhe bashkëshortja e tij 46-vjeçare Li Chen, punonin në laboratorë të ndryshëm në Spitalin Pediatrik të qytetit Kolambus të Ohajos për 10 vjet, duke vjedhur rezultate të kërkimeve shkencore të mbrojtura me patentë shpikjeje, të tranferuara për përfitim personal.

Sekretet shkencore për të cilat akuzohet çifti me vjedhje/transferim, luajnë një rol kyç në diagnostikimin dhe mjekimin e një numër problemesh shëndetësore te fëmijët, që nga kanceri i mëlçisë si dhe një anomali tek foshnjat e lindura premature, siç thuhet në aktpadinë federale.

Dokumenti i akuzës shpjegon se çifti krijoi një kompani në Kinë në 2015 pa dieninë apo autorizimin e spitalit, për të tregtuar produkte që lidheshin me këtë teknikë mjekësore. Dy vjet më pas, Zhou ishte i përfshirë në themelimin e një kompanie bioteknologjike amerikane, përmes së cilës reklamonin produkte, përfshirë një mini-laborator për përdorim personal, i cili përfshinte avancime shkencore të mbrojtura me patentë, të zhvilluara në laboratorin kërkimor të spitalit. Pak para se të dorëhiqej nga spitali në 2017, Zhou njoftoi në një konferencë për shtyp se kompania e tij e re do të shiste “sisteme mjekësore të mbrojtura me patentë” nga zyrat e saj në qendër të Ohajos.

“Spitali Pediatrik ka shpenzuar vite të tëra dhe fonde nga buxheti i vet për të bërë kërkime për këtë element të patologjisë së njeriut në mënyrë që të avancohej shkenca mjekësore në mënyrë të ndershme,” tha përmes një deklarate Benjamin Glassman, prokuror federal për Distriktin Jugor të Ohajos.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, spitali thotë “Kur zbuluam këtë incident, njoftuam FBI-në dhe kemi bashkëpunuar me ta në mënyrë aktive”.

Çifti u arrestua në korrik. Aktpadia u bë publike të enjten kur ata dolën para gjykatës federale ku iu lexuan zyrtarisht akuzat, të cilat ndëshkohen me 10-20 vjet burg.

Avokatët e çiftit nuk i janë përgjigjur ende një emaili të Zërit të Amerikës për të komentuar për çështjen.

Aktpadia ngrihen ndërkohë që administrata Trump po merr masa ndaj atyre që i cilëson si praktika grabitqare nga ana e Kinës, me vjedhje të pronës intelektuale amerikane. Kjo çështje ka qenë ndër temat kryesore në tensionet SHBA-Kinë.

Në dhjetë muajt e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza kundër shtetasve dhe kompanive kineze në të paktën shtatë raste të veçanta të spiunazhit ekonomik, një rritje e konsiderueshme krahasuar me tre akuza të ngritura në dhjetë muajt pararendës. Po ashtu në gjashtë raste të tjera gjyqësore për spiunazh, të akuzuarit kanë pranuar fajin dhe janë shpallur dënimet, pas akuzave ndaj katër shtetasve kinezë se kanë anashkaluar sanksionet kundër Koresë së Veriut.

“Vjedhja e sekreteve tregtare është një kërcënim në rritje që ndikon seriozisht tek ekonomia dhe siguria jonë kombëtare,” thotë agjenti special i FBI-së, Todd Wickerham, i cili kryeson hetimet.

Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar arrestimin e një punonjësi të qeverisë kineze nën akuzat për mashtrim dhe manipulim për të siguruar viza jashtë rregullave për miq të tij që punonin në qeveri.

Zhongsan Liu u arrestua të enjten në Fort Li të Nju Xhërsit dhe më pas doli para gjykatësit federal në Nju Jork.

“Mirëpresim studentë të huaj, studiues nga vende të tjera, përfshirë edhe nga Kina, por nuk mirëpresim mashtrime me vizat, sidomos në interes të një qeverie tjetër,” tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm John C. Demers. “Ne do të vazhdojmë t’u kundërpërgjigjemi përpjekjeve të qeverisë kineze për të anashkaluar ligjin amerikan me qëllim që të çojë përpara interesat e saj duke transferuar në mënyrë të paligjshme arritje shkencore dhe dije në Kinë”.