Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka ndarë dhimbjen e thellë të saj dhe veçanërisht të qytetarëve të saj për ndarjen nga jeta të një figure ikonike të humorit shqiptar dhe shkodran në veçanti, të Paulin Prekës.
“Zemra e Mjeshtrit të Madh të humorit shqiptar, Paulin Preka, pushoi së rrahuri sot, – shkroi Voltana Ademi në Fb. – Është një lajm shumë i trishtueshëm për familjen, kolegët, miqtë e të njohur por edhe për artin shqiptar. Me një karrierë brilante në skenë dhe në ekran, Mjeshtri i Madh Paulin Preka ka krijuar një epokë, duke u rreshtuar ndër kolosët e artit shqiptar.
Edhe pse sot largohet fizikisht, na ka lënë trashëgim një pasuri të madhe shpirtërore, që do të vazhdojë ta mbajë mes nesh dhe brezave që do të vijnë. U prehsh në paqe Mjeshtër!” përfundoi Ademi.
Bashkia e Shkodrës njoftoi se Mjeshtri i Madh Paulin Preka u ndaj sot nga jeta. Aktori i madh i humorit shqiptar mbylli sytë në Itali, aty ku prej vitesh jetonte me familjen e tij. Ndarja e tij nga jeta, është një humbje shumë e madhe për artin shqiptar.