Vrasësja e vogëlushit shqiptar në Zvicër, ja çfarë ankese ka bërë autorja 75 vjeçare

0
40

Një grua e moshuar, zvicerane 75 vjeçe, më 21 mars të këtij viti ka vrarë vogëlushin 7-vjeçar, shqiptar me prejardhje nga Kosova, Ilias M. Ajo është paraqitur vetë në polici, ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe që nga dita e krimit po mbahet në burgun për hetime.

Por, së fundi, Angela N. ka bërë ankesë në shkallën më të lartë të gjyqësisë zvicerane, në Gjykatën Federale. Ajo ka kundërshtuar ekspertizën psikiatrike që i është bërë, shkruan Basler Zeitung.

Ditën e parë pas kryerjes së vrasjes, avokati i gruas i angazhuar mbi bazë zyrtare ka kërkuar që ajo t’i nënshtrohet një kontrolli psikiatrik, transmeton albinfo.ch. Ndërsa në fillim të prillit, prokuroria ka angazhuar një ekspert nga Klinika për psikiatri ligjore e Universitetit të Cyrihut, që të përpilojë një ekspertizë mbi gjendjen e saj psikike. Por, kur ajo ka kuptuar për këtë ekspertizë, ka bërë një kërkesë për “pezullim të ekspertizës”.

E akuzuara me këtë rast është ankuar se avokati ka kërkuar ekspertizë pa pasur pajtimin e saj. Ndërkaq është veçanërisht interesant arsyetimi i kërkesës së saj: ajo druan se dosjet e konfiskuara për të bërë mbi bazë të tyre ekspertizën, do të përdoreshin për personin e saj dhe mund të manipuloheshin. Bëhet fjalë këtu për dokumente nga kontestet ligjore që ka pasur ajo në të kaluarën. Ajo pra ka kërkuar që këto dosje të mos përdoren pa u verifikuar më parë vërtetësia e tyre.

E akuzuara e ka bërë ankesën kundër ekspertizës psikiatrike saktësisht brenda afatit. Gjykata kompetente e apelit ka reaguar brenda tri javësh, duke e hedhur poshtë ankesën. Në aktgjykimin në fjalë të gjykatës konstatohet edhe njëherë se “gruaja e ka therrur në mënyrë të padyshimtë një nxënës të panjohur për të”.

Gjykata nuk i është përgjigjur me këtë rast preokupimit të saj. “Nga njëra anë nuk është e qartë përse autoritetet e zbatimit të ligjit ose autorët e ekspertizës do të kishin interes për t`i manipuluar dokumentet. Nga ana tjetër është irelevant fakti që ajo ka kundërshtuar kërkesën e avokatit të saj për ekspertizë, pasi që prokuroria edhe pa këtë, do të kërkonte kryerjen e një ekspertize”.

Por gruaja e akuzuar për vrasje me paramendim sërish është ankuar, duke shfrytëzuar afatin prej 30 ditësh. Kësaj here në instancën më të lartë gjyqësore të vendit, në Gjykatën Federale. Kjo efundit i ka kthyer përgjigjen brenda një jave, duke hedhur poshtë ankesën në procedurë të shkurtë, për mungesë baze. Sipas njoftimit nga prokuroria, ekspertiza e saj psikiatrike është ende në pritje.