Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka komentuar akuzat ndaj kreut të grupit të PS Taulant Balla, sipas të cilave emri i tij del në përgjimet për vrasjen e avokatit Ravik Gurra në Elbasan.
Gjiknuri deklaroi se pyetje të tilla i duhen bërë personave të përfshirë ndërsa shtoi se PS nuk mund të njollosen nga akuza të tilla. Më tej ai theksoi se PS do të vazhdojë misionin e saj, por edhe duke u vetëkorrigjuar pasi edhe ajo mund të ketë ndonjë gabim që duhet ta shohë.
“Nuk dua të merrem me deklaratat e mediave sepse nuk e di vërtetësinë e tyre. Ato janë pyetje që duhet t’ia bëni personave konkretë. PS është një parti e fortë që bazohet te vullneti i njerëzve dhe nuk mund të njolloset nga akuzat që mund të bëhen nga media të caktuara apo qarqe të caktuara.
PS ka qenë partia që e ka udhëhequr këtë vend në momente të vështira. Ka treguar që është partia më patriotike dhe kështu do të vazhdojë drejt një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar, duke u vetëkorrigjuar sepse edhe ne mund të kemi ndonjë gjë që duhet ta shohim”, deklaroi Gjiknuri.
Panorama.al