Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja tronditëse në pritë e Liridona Ademaj, nënës së dy fëmijëve, krim i porositur nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, duket se hetimet në Kosovë, kanë mbetur në një pikë pa kthim, gati të vdekur.
Askush nuk ka më dyshim se vrasësi i vërtetë është bashkëshorti, por ku të gjithë janë në kërkim të një vërtete, një motivi të qenësishëm, përse Naim Murseli kërkoi me çdo kusht ekzekutimin e nënës së fëmijëve të tij.
Çfarë ajo dinte që e çoi njeriun me të cilin kishte ndarë rreth 13 vite bashkëjetesë, të ndërmerrte aktin e ekzekutimit të tij? Çfarë po përpiqet sot Naim Murseli të fshehë, apo të manipulojë opinionin publik, duke ngritur nga dëshmia në dëshmi, skenarë të rinj, gati sureale. Rrëfime të pabesueshme të cilat kanë krijuar bindjen edhe te grupi hetues, se përpara tyre kanë të bëjnë me një gënjeshtar kompulsiv, i cili e ka futur veten në një rreth vicioz gënjeshtrash të vazhdueshme, nga të cilat sa herë përpiqet të dalë, aq më shumë po e rëndon situatën e tij para ligjit. Kështu duket edhe historia e re që po kërkon të krijojë mbi vrasjen e bashkëshortes, Liridonës, për të cilën vazhdon të insistojë se nuk është ai porositës i vrasjes së saj, mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë, vetëm 500 metra larg banesës së tyre të re.
Fillimisht tha për grupin hetues se familja e tij, e cila në këtë orë po lëvizte me makinë, drejt banesës së tyre në Prishtinë, kishte rënë pre e një grabitësi dhe se e vetmja gjë që kish mundur të bënte ishte të merrte nga makina dy fëmijët e tij dhe të linte Liridonën të vetme në automjet. he vetëm pak çaste me tej dhe jo shumë metra pasi ishte larguar me fëmijët, të dëgjonte disa krisma arme. Por cilat janë dëshmitë e reja të Naim Murselit, ku ai përpiqet t’i japë një tjetër dinamikë krimi. Tanimë i vënë në pozitën e pakundërshtueshme të njohjes me Granit Plavën, qitësin e dokumentuar, që qëlloi mbi Liridonën, duke i marrë jetën.
Vrasesin, të cilin fillimisht Naim Murseli tha se nuk e njihte, por që kamerat e sigurisë në lokalin ku ky i fundit darkoi mbrëmjen para krimit me Liridonën dhe fëmijët, treguan se Granit Plava ishte aty, duke vëzhguar lëvizjet e tyre. Para se t’i ndiqte deri në kthesën e rrugës ku u zuri pritë dhe qëlloi ndaj 30-vjeçares. Por nëse në dëshminë e parë Naim Murseli tha se nuk e njihte Granit Plavën, në rrëfimin e radhës ai tregoi për grupin hetues se kishte krijuar me kohë njohje me të.
Madje edhe se kishte qenë ai që ia kishte blerë armën e krimit, por jo për të vrarë Liridonën, duke ia dhuruar ai paratë për të blerë armën. Po përse duhet një i panjohur t’i blejë armë një tjetër panjohuri, të cilin e takon për herë të parë dhe mbi të gjitha edhe tja dhurojë paratë me të cilën do blejë këtë armë?
“Ditën para se të ndodhte ngjarja, unë isha në Gjakovë, për punë të miat personale. Aty rastësisht jam takuar me Granit Plavën, ku Kushtrimi më ka treguar se ku do të takohemi. Takimi u krye në Kramovik, te vendi i punës i Granitit, te një karburant. Nga aty ai më pas është ngjitur në makinën time ‘Land Rover’ me targa 07 669 CM ngjyrë e zezë. Por gjatë rrugës për te restorant ‘Liqeni i Dukagjinit’ mua mu prish goma e automjetit dhe shkuam në afërsi të Dujakës, ku hasëm një servis dhe një mekanik të fshatit, që na ndihmoi të rregullonim rrugën”, thuhet në dosje.
Por çuditërisht, pikërisht në këtë pikë servisi, në prani të Naim Murselit, sipas rrëfimit të këtij të fundit, është mekaniku i këtij servisi që u është vetëofruar t’u shesë një armë zjarri.Dhe kjo pa i njohur absolutisht, dy klientët që kishin shkuar aty për të rregulluar gomën e makinës.
“Mekaniku që na ndihmoi për rregullimin e gomës, e pyeti Granit Plavën nëse ishte i interesuar për një armë. Graniti i tha:‘Po, por vetëm dua ta shoh fillimisht’. Duke qenë se i pëlqeu por nuk kishte para me vete, më kërkoi mua 250 euro. Gjatë kësaj kohe mua më merr në telefon bashkëshortja dhe më thotë se në mënyrë të papritur kishte mbërritur në Prishtinë”, thuhet në dosje.
Pra, Naim Murseli thotë në dëshminë e tij se Liridona që në këtë moment ishte në banesën e prindërve të saj, në fshatin Rracaj të Gjakovës, nuk e kishte njoftuar që po vinte në Prishtinë dhe pasi blenë armën te mekaniku i fshatit, ai edhe Graniti, me kërkesë të këtij të fundit, u drejtuan për në fshatin Kralan. Aty ku Plava do të merrte një veturë. Ku më tej të dy kanë vazhduar rrugën me dy makina të ndryshme, duke ndjekur njëri-tjetrin deri në Prishtinë, deri pranë shtëpisë së dy bashkëshortëve.
“Pasi kemi arritur pranë shtëpisë sime, Graniti që po më ndiqte nga pas me makinë, kur kemi afruar automjetet, më tha se ‘tani e di se çfarë duhet të bëj’, thuhet në dëshmi. Pra sipas Naim Murselit, ai e kishte nuhatur që Granit Plava do kryente një vrasje, por nuk bëri asgjë për ta parandaluar këtë ngjarje. Ashtu siç doli edhe atë mbrëmje, ku Naimi thotë se që në momentin e parë kur njeriu me maskë u zuri pritë, ai e dinte që ky grabitës ishte Granit Plava.
“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çuar duart lart dhe i kam thënë Liridonës jepja të gjitha çfarë të kërkon. Në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në çastin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi”, thotë ai.
Por nëse Naim Murseli e kuptoi që në atë çaste se personi me armë në dorë që fshihej pas maskës, ishte Granit Plava, përse nuk u përpoq ta parandalonte këtë ngjarje? Por vendosi t’ia mbathë me fëmijët dhe ta lërë Liridonën në makinë, aty ku edhe u qëllua me një plumb të vetëm në qafë nga Granit Plava. Por, ajo që rrëzon të gjitha shfajësimet e Naim Murselit, se ai nuk dinte asgjë mbi planin kriminal të Granit Plavës, është dëshmia e Kushtrim Kokallës.
Kushëririt të parë të Naimit, edhe ky i arrestuar si një nga bashkëpunëtorët e tij në krim. Kokalla, efektiv në Forcat e Sigurisë së Kosovës, i cili tha për grupin hetues se Naim Murseli ishte në përgatitje prej gati një viti për vrasjen e bashkëshortes, ku i kishte kërkuar atij vetë që ta kryente këtë punë, madje duke i ofruar edhe para në këmbim, por Kokalla thotë se nuk kishte pranuar.
“Prej gati një viti, Naimi më ka lutur që të kryej vrasjen e bashkëshortes. Unë i kam thënë që mos ta dëgjoj më këtë gjë”, tha ai.
Por ndryshe nga çfarë pritej, Kushtrim Kokalla, është shprehur se është ai pika lidhëse e Naim Murselit me Granit Plavën, por ka mohuar që të ketë dorë në vrasjen e bashkëshortes së kushëririt. Vetë Granit Plava ka pohuar se Naim Murseli, i ka premtuar 30 mijë euro për të vrarë Liridonën. Madje i kishte thënë që të përdorte një kallashnikov për të mbaruar punë, por që nuk ishte pranuar nga Graniti. Por sipas Granit Plavës, biseda për vrasjen e Liridonës midis tij dhe Naim Murselit, nuk ka ndodhur ditën kur u krye ekzekutimi, por një javë më herët, në një pikë të furnizimit me karburant në Gremnik të Klinës, ku sipas tij në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla.
“Gjatë bisedës, në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30 000 euro pasi ta vrasim këtë grua. Gjatë kësaj bisede u përmend edhe kallashnikovi, por unë nuk pranova. Pak para se të largohem Naimi më dha 400 euro, dhe Kushtrimi një shumë tjetër dhe kështu u morëm vesh që të bëhet kjo punë. Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘do shkojë në Shqipëri dhe kjo punë është mirë të kryhet sa kohë ai është atje’, thotë ai. Ditën e ngjarjes, Granit Plava, thotë se Naim Murseli e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që të mbyllë punën e nisur, pra vrasjen e Liridonës.
“Ditën e vrasjes, Naimi më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë që ti e di se ‘nëse ndodh diçka, unë do të të nxjerr’, thotë ai.
Me interes për grupin hetues është edhe dëshmia e Aurel Pajazitit, personi i cili i ka lëshuar me qira makinën që Granit Plava, përdori për t’u dalë në pritë dhe për të ekzekutuar Liridona Ademaj, mbrëmjen e 29 Nëntorit.
“Këtë veturë, ‘Seat Exio’, me targa 07 984 EK ia kemi lëshuar me qira personit Granit Plava, më datë 27 Nëntor 2023 rreth orës 18:00, i cili e ka mbajtur këtë automjet deri më datë 29 Nëntor 2023, në orën 14.00. Një orë më pas, në të njëjtën ditë, rreth orës 15.00, Granit Plava më ka marrë në telefon dhe më ka thënë se më duhet sërish makina për me shku me marrë dikë në aeroport”, thotë Pajaziti.
Aurel Pajaziti tha se kur u kthye herën e dytë për të marrë makinën, Granit Plava nuk ishte vetëm, Por me një person të dytë, të cilën nuk e njohu. Por ajo që ai mundi të shquajë është se Graniti erdhi me një makinë ‘Range Rover’, të ngjashme me atë të Naim Murselit.
“Po, më kujtohet. Granit Plava erdhi me një veturë të tipit ‘Range Rover’, ngjyrë hiri të cilën ka qenë duke e drejtuar vetë Graniti. Ndërsa bashkë me të ishte edhe një person tjetër që nuk e kam njohur. Pasi Graniti e mori veturën ‘Seat’ personi tjetër vazhdoi rrugën me ‘Range Rover’”, thotë ai.
Por historia që Naim Murseli rreket t’i japë tjetër drejtim ditën e takimit me Granit Plavën, dhe që ka lidhje me orët para krimit, ky i fundit e ka treguar ndryshe. Plava thotë se ditën e krimit, në orën 12.00 ai është marrë me makinë nga Naim Murseli dhe kanë bërë një xhiro me automjet në liqenin e Radoniqit.
“Duke bërë xhiro në liqen, na u prish goma e makinës dhe më pas shkuam në fshatin Novoselë e Epërme. Aty ku Naimi më prezantoi me një armë zjarri, të cilën sipas tij ia kishte dhënë pronari i servisit. Unë nuk i kam parë fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, thekson ai.
Por në gjithë këtë histori, një episod rozë, duket se ka pështjelluar edhe njëherë enigmën e pazgjidhur të kësaj ngjarje. Ajo e një lidhje të pasqaruar sentimentale apo jo midis Naim Murselit dhe bashkëshortes së njërit prej vëllezërve të Kushtrim Kokallës, mesazhe që mesa duket kanë tronditur edhe raportin bashkëshortor midis Naimit dhe Liridonës.
Biseda që janë pranuar edhe nga Naim Murseli. “Në shesh kanë dalë disa mesazhe, që janë kthyer në një problem familjar. Këto sms i kanë rënë në dorë edhe Liridonës, çka e kanë rënduar shumë lidhjen tonë martesore”, thotë ai. Sipas Naim Murselit, ishin këto biseda që kishin sjellë edhe hakmarrjen e shpejtë të Liridonës, e cila ai thotë se e kishte tradhtuar gjatë qëndrimit në Suedi.
“Pas kësaj ngjarje, kontrolli nga Liridona kundrejt meje u shtua ndjeshëm. Unë kam kërkuar ndarjen, por ajo nuk ka pranuar. Ndërkohë ajo u hakmorr duke më tradhtuar me një burrë të huaj atje. Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Sigurisht që kjo më ka rënduar dhe ka ndikuar për keq në raportin tonë”, thotë ai.
Këtë problem bashkëshortor midis Liridonës, Naimit dhe familjes Kokalla, e ka pranuar edhe Shaban Murseli. Sipas babait të Naim Murselit, ky problem ka ndodhur një vit para se Liridona të vritej.
“Para një viti, Naimi ka pasur një problem me djalin e hallës së tij K. Kokalla. Janë disa mesazhe që Naimi ka shkëmbyer përmes telefonit me B., gruan e K.Kokallës. Ajo që di unë është se lidhur mbi rastin nuk ka pasur diçka më shumë midis Naimit dhe B., përveç disa shkrimeve dhe fotove jo intime”, thotë më tej.
Për të sqaruar këtë situatë të pakëndshme, thuhet se palët janë takuar edhe me njëra-tjetrën, por marrëdhënia e mëtejme duket se ka qenë e ftohtë midis tyre.
“Naimi dhe Liridona janë takuar me vëllain e Kushtrim Kokallës dhe bashkëshorten e tij dhe unë di që e kanë mbyllur këtë çështje. Por pas këtij momenti marrëdhëniet mes meje dhe Naimit janë ftohur. Unë nuk kam ndonjë informacion se Naimi apo familja kemi paguar ndonjë haraç për këtë punë”, thotë babai. Vetë Kanon Kokalla, vëllai i Kushtrim Kokallës, ka pohuar ekzistencën e këtyre mesazheve, por ai e ka cilësuar si të pavend faktin që Shaban Murseli i ka përmendur gjatë rrëfimit në hetuesi dhe se kjo histori nuk ka aspak lidhje me vrasjen e Liridonës.
“Kjo puna që ka përmend Shaban Murseli nuk ka të bëj fare me këtë rast. Ai veçse ka dashur të më përlyej mua, të më bëj turpërojë. Kurrgjë s’ka pasur këtu. Disa sms që ai Naim Murseli, i ka shkru: ‘Qysh je? Çka je kah bën? Ne këtë punë e kemi lënë qëmoti dhe e kemi mbyllur si çështje”, thuhet më tej.
Kanon Kokalla ka mohuar po kështu edhe problemet e tij të mëvonshme me Naim Murselin, duke thënë se me të nuk ka pasur shoqëri. “Naim Murseli ka qenë më shumë i shoqëruar me vëllain tim, ndërsa unë kam pas më shumë afrimitet me vëllain e Naimit. Naimi ka qenë tip i ftohtë, por bujar. Ndërsa vëllai Kushtrimi, nuk ka sjellë kurrë probleme në shtëpi. Lidhur mbi Granit Plavën unë atë e njoh që nga fëmijëria, por nuk kam pas ndonjë raport miqësor me të. Një gjë interesante mund t’ju them, që së fundi Graniti më ka ftuar bashkë me një shokun tim, për ditëlindjen e djalit, pasi i kemi të një gjenerate. Ku kemi shkuar aty, kam parë që Graniti kishte më shumë të holla se zakonisht. Por nuk e di se si ka mundur ai me punën që bën, me i siguruar ato pare”, thotë ai.
Por përse u vra Liridona Ademaj? A janë me të vërtetë tradhtitë në çift, apo zbulimi i jetës së dyfishtë që bënte bashkëshorti i saj Naimi, ato që çuan këtë të fundit në porositjen e vrasjes së bashkëshortes. Apo kjo histori do vazhdojë të rezervojë surpriza në hetimet e saj, për të na dhënë më në fund, një të vërtetë, përse u vra nëna e dy fëmijëve, që po vazhdon të mbajë pezull frymën si në Kosovë por edhe në Shqipëri, me detajet e reja tronditëse që zbulohen nga momenti në moment.