Vrasja e teknikut të kondicionerit, kush është bashkëpunëtori i dy vëllezërve vrasës

0
2

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit me burg për shtetasin Lorenc Veliaj, i cili fillimisht u dyshua si autor i vrasjes së 26 vjeçarit Indrit Çelaj, ditën e mërkurë në një vilë trekatëshe në rrugën Myslym Shyri ndërsa po punonte si teknik për rregullimin e sistemit të kondicionimit.

Dëshmia e Lorenc Veliaj në Polici ka çuar edhe në zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku tashmë të dyshuar kryesor për vrasjen e të riut me një plumb në kokë janë djemtë e pronarit të vilës, Albano dhe Griseldo Kusi, të dy të shpallur në kërkim nga policia.

Në Polici, Veliaj është shprehur se ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes kur ndodhi sherri që përfundoi në të shtëna armësh.

Ai është shprehur më tej se vëllezërit Kusi e kishin kërcënuar duke i kërkuar që të merrte përsipër plagosjen e cila më pasi përfundoi me humbjen e jetës së të riut një ditë më pas në Spitalin e Traumës.

Tashmë Veliaj do të akuzohet nga Policia për ‘Armëmbajtje pa leje’ si edhe ‘Kundërshtim me dhunë të forcave të Rendit’, ndërkohë që dëshmia e tij e plotë pritet të zbardhë të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Ndërkohë që kërkohej edhe për tre vepra penale të tjera.

Në qeli për ngjarjen për momentin janë katër persona, midis të cilëve edhe shtetasi Bujar Kusi që është pronari i vilës ku ndodhi vrasja.