TIRANE-Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre personave, në hetim dhe të dënuar për trafik të miturish, vrasje dhe grup të strukturuar për trafikun e klandestinëve. I pari në listën për ditën e sotme është Besnik Hoxha, i cili po gjykohet si pjesë e një grupi kriminal që dërgonte klandestinë në SHBA, ku çmimet që paguheshin për një pasaportë amerikane false arrinin në 20 mijë euro.
I dyti është Shkëlqim Beqiraj, i dënuar nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Berat më datë 30 mars të vitit 2006 me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën u dënua Beqiraj ka ndodhur më 21 mars të vitit 2001, në fshatin Samaticë të Komunës Kutalli, Berat kur ai ka vrarë Mariglen Canin dhe Valter Begen. Dy personat po ktheheshin nga puna, të hipur në një automjet bujqësor.Në rrugën kryesore të fshatit ata janë qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Emri i tretë është Leonard Laze u dënua me 18 vite me akuzën e trafikimit të një vajze 17-vjeçare në Gjermani në 2001. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.