Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve shqiptarë se “Çfarë do të përfitojnë qytetarët tanë nga Samiti i minishengenit Ballkanik?”, duke thënë se përfitimet do të shihen pas tre vitesh.
Në një konferencë pas Samitit të tretë, që po mbahet në Tiranë, Vuçiç tha se vendet tona janë shumë të vegjël, ndaj dhe nuk mund të mbijetojnë pa këtë gjë. Sipas tij, duke u bërë bashkë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë më të lehtë të tërheqin investitorët e huaj.
“Pyetjes do t’i përgjigjem në dy mënyra, së pari pa këtë nuk mund të mbijetojmë. Askush nuk mund të mbijetojë pa këtë, sepse jemi kaq të vegjël, kaq të parëndësishëm. Nëse nuk i bëjmë tregjet tona më të mëdha, nëse nuk punojmë së bashku, si do t’i kthejmë njerëzit që janë larguar nga vendet tona? Duke krijuar një atmosferë konflikti dhe lufte? Unë u zemërova pak përpara, sepse gjithë kohës duket sikur mbrohet.
Nga çfarë duhet të mbrohemi? Që po përpiqemi të bëjmë gjëra të mira për vendet tona, që po mbrohemi nga ata që po tentojnë të na kthejnë pas. Mbrëmë në koncert u kënaqa, por u ndjeva dhe i shqetësuar. A mund të më thoni një masë, një gjë të vetme, që është e keqe nga kjo që po bëjmë këtu? Për mua mendoj se më e rëndësishme është çfarë mendojnë qytetarët për këtë që po bëjmë. Ku është e keqja që Serbia do të ofrojë ndihmën e vet, që do ofrojë një shtëpi për të qenë 100 familje shqiptare. Pse të kemi turp nga kjo gjë? Kjo është ftesa më e mirë që kemi për investitorët.
Ata mund të ndërtojnë fabrika edhe në Shqipëri. Si do t’i tërheqim investitorët, duke luftuar? Kjo gjë nuk do të shihet në tre muaj, nuk ka përfitime në këto muaj, por do shikoni përfitimet pas tre vitesh. Të gjithë njerëzit që merren me biznes e dinë shumë mirë këtë. Kur vjen puna tek Evropa të gjithë janë të mirëpritur, nuk ka kushte. Ne duhet t’i lutemi Zotit, por jo BE që të hapë dy-tre kapituj, nuk dua të poshtëroj veten dhe popullin tim.
Ka shtete evropiane që nuk do të ishin të aftë të hapnin bisedimet me BE. Nëse ne do bënim atë që bëjnë disa shtete të tjera të BE, do të na “varnin”, pra do na kritikonin shumë. Le të bëjmë ato që varen nga ne, ato që mund të bëjmë. Nëse ne e kuptojmë njëri-tjetrin më mirë, askush nuk do të mund të na nënvlerësojë”, deklaroi Vuçiç.