Aktori i njohur amerikan Will Smith ka triumfuar mbrëmjen e djeshme në ndarjen e çmimeve të “Academy Awards”. Ai ka fituar “Oscar”-in e parë në karrierën e tij 30 vjeçare, pas dy nominimeve të mëparshme.
“Coda” fitoi çmimin si filmi më i mirë. Ai tregon historinë e një familje me anëtarët e shurdhër që drejtojnë një biznes të vogël peshkimi me ndihmën e vajzës së tyre, e cila është e vetmja që dëgjon. Me regji të Sian Heder, “Coda” la pas filmat “The Power of The Dog”, “Belfast” dhe “Don’t Look Up”
Çmimet për aktoren dhe aktorin më të mirë shkuan përkatësisht për Jessica Chastain dhe Will Smith. Por shuplaka që ky i fundit i dha komedianit Chris Rock bëri që ndarja e çmimeve të kalonte në plan të dytë, në aspektin e vëmendjes.
Will Smith e goditi Chris Rock në fytyrë, duke u ngjitur në mes të skenës së “Oscars”, pasi komiku amerikan bëri një shaka me gruan e aktorit, Jada Pinkett Smith. “Jada, mezi pres për GI Jane 2,” tha ai, duke ju referuar modelit të saj të rruar të flokëve. Por rruarja e flokëve nuk ishte për stil, por për shkak të sëmundjes së alopecia.
Smith doli në skenë dhe goditi Rockun përpara se të kthehej në vendin e tij dhe të bërtiste: “Mbaje emrin e gruas sime larg nga goja jote.” Më vonë ai kërkoi falje në skenë. “Dua t’i kërkoj falje Akademisë. Dua t’u kërkoj falje të gjithë kolegëve të mi të nominuar,” tha ai gjatë një fjalimi të përlotur për pranimin e aktorit më të mirë.