Xhaçka: Shqipëria dhe SHBA janë partner të fortë përballë rrezikut rus

0
3

Shqipëria dhe SHBA janë partner të fortë përballë rrezikut rus. Kjo çështje ishte pjesë e bisedës mes Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Pentagon, e dyta brenda një viti, ku u prit nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.

Gjatë bisedës dy zyrtarët e lartë njohën atë që çdo ditë e më tepër cilësohet si rreziku rus për rajonin e Ballkanit dhe deklaruan se SHBA dhe Shqipëria janë partnerë të fortë edhe përballë këtij rreziku.

“Kjo është një nga arsyet kryesore pse po takohemi sot. Është rrezik dhe ndaj jemi partnerë të fortë”, tha zoti Shanahan për Zërin e Amerikës.

Ministrja e Mbrojtjes i cilësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mik i madh dhe sipas saj, fati i rajonit do të kishte qenë ndryshe pa mbështetjen e aleatit strategjik.

Xhaçka: “Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në terësi. Gjithmonë mund të mbështeteni tek ne, sa herë që të lindë nevoja. Ushtarët tanë janë ushtarët tuaj”.

Sekretari Shanahan nënvizoi ndër të tjera angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e qeverisë shqiptare për t’i dedikuar mbrojtjes, 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shanahan: “Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’ju falenderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”.

Gjatë vizitës në Washington ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, firmosi edhe marrëveshjen me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, veçanërisht të Forcës Ajrore, përmes marrjes së disa helikopterëve “Black Hawk”.

Kjo marrëveshje parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.