Pastori Akil Pano ka mbajtur të dielën në mbrëmje një aktivitet në Kishën “Ungjilli i Krishtit”, me qëllim mikpritjen e gazetares italiane, Nausicaa Della Valle. Kjo e fundit ndau eksperiencën e saj si një “ish-lesbike” dhe në mediat është shprehur se është angazhuar për të kthyer në “Rrugën e Zotit” gjithë personat LGBTIQ+.
Atje, dje në mbrëmje kanë shkuar dhe aktivistet e kësaj lëvizje në Shqipëri. Xheni Karaj ka shkuar atje me të dashurën e saj, ndërsa me ironi ka bërë dhe një shkrim në rrjetet sociale. Karaj thotë se ka shkuar atje me mendje të hapur, por në fund ka dalë përsëri lezbike.
Shkruan Xheni Karaj:
Erdhëm me mëndjen e hapur se mos ndryshonim duke dëgjuar Akilin, por hiç… Mbetem lezbike e gej! Dëgjuam të premten ftesën e Akilit për të frekuentuar Kishën e tij, ndaj erdhëm sot ta degjojmë me veshët tona fjalën e Perëndisë. Erdhëm me mendje dhe zemër të hapur. Qëndruam dy orë, dëgjuam mesazhet që u ndanë sot.
Duke qënë se erdhëm me mendje të hapur shpresuam që perëndia të na vajoste me hirin e saj edhe të derdhte mbi ne të gjitha bekimet që ajo i derdh pa kursim mbi krijesat e veta. I thashë vetes: jepi një shans pastorit, se nuk vlen ta injorosh. Se siç Perëndia i tha profetit Nehemia, ‘‘Kur, Zoti do të na thotë diçka mund t’i bëjë edhe gurët të flasin.
Pra mund ta injorosh Akilin, por jo Perëndinë!’’ Thashë, dëgjoje mesazhin që Perëndia do të të japë nga goja e Akilit më mirë se ta dëgjosh nga guri.
Mendova se pasi të dëgjoja shërbesën sot, ndoshta do ta doja më pak Livian, ndoshta do e shikoja dashurinë time për të si mëkat. Por, dola nga Kisha e Akilit e mbushur me dashuri! E dua Livian tani më shumë se dje dhe e falenderoj Akilin që u bë mjet që Perëndia të më thotë këtu, në shtepinë e saj, se nuk ka asgjë të keqë tek dashuria. Përkundrazi, ajo është më e fortë edhe se vetë shpresa.
Të them të drejtën, Perëndia na foli sot. Na foli permës Letrës së parë që Apostulli Pal u ka dërguar Korintasve, Kapitulli 13, ku thotë:
“Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë’’!
‘‘Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset’’,
‘‘Nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq’’;
‘‘Nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën,
‘‘I duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.
‘‘Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet’’,
‘‘Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore’’.
‘‘Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.”
Tani e ka rradhën Akili ta lejojë Perëndine, ti flasë atij për dashurinë. Sepse – edhe njëherë – ‘‘Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset.’’
AMEN!