Nga dje, Xhubleta shqiptare është pjesë e pasurisë botërore të njerëzimit, pasi u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nga UNESCO.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një postimi në rrjetet sociale ku shihet e veshur në mënyrë tradicionale shqiptare. “Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të Xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit”, shkruan ministrja Margariti.
MINISTRJA
Postimin e saj në “Facebook”, ministrja ka zgjedhur ta shoqërojë dhe me një video nga Maroku, ku mbahej mbledhja e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ku shpreh gjithë entuziazmin pas marrjes në mbrojtje nga UNESCO të xhubletës së lashtë mijëra vjeçare. “Nga kryeqendra e Marokut, po ndaj sot me ju një lajm shumë të mirë: Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale sapo miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të listës trashëgimore jo materiale nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte dita ditës të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjesht një relikë e së shkuarës”, u shpreh ministrja Margariti, teksa shton me tej përfitimet që vijnë pas këtij lajmi të shumëpritur si dhe një falënderim të veçantë për të gjithë ata që punuan për këtë ditë. Me përfshirjen në këtë listë, sipas saj, xhubleta do të ketë të gjithë mbështetjen jo vetëm të institucioneve shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri të të gjithë njerëzimit.
“Për të ardhur në këtë ditë sot na janë dashur vite të tëra pune. Gjej rastin të falënderoj çdo specialist, çdo bashkëpunëtor, çdo bartës të dijebërjes së xhubletës që të pakursyer na kanë ndihmuar jo vetëm të plotësojmë një dosje aplikimi, por t’i tregojmë mbarë botës një copë shqiptarie”, shton Margariti duke uruar në fund që ky i sotmi të jetë një ogur i mirë për të gjitha dosjet që Shqipëria ka dërguar në UNESCO. Që prej vitit të kaluar, xhubleta shqiptare ishte e para në proces për t’u pranuar në UNESCO. Pranimi i saj nënkupton kështu edhe një dritë jeshile për dosjet e tjera dhe për më shumë investime në trashëgiminë kulturore.
“Për ne shqiptarët, xhubleta nuk është thjesht një kostum, nuk është thjesht një veshje, por një mënyrë jetese, një petk që i shoqëron gratë e malësisë nga lindja deri në vdekje, shoqëron çdo gëzim dhe hidhërim. Nga thellësia e kohës vjen praku i vegjës, dallga e xhubletave që sinkronizohet me goditjen e kambanës gjatë udhës kur gratë shkonin të premteve në kishë. Kjo veshje madhështore 4- mijëvjeçare mbushur plot e përplot me simbole jete sot po tejkalon kufijtë shqiptarë. Ajo nuk është thjesht një dosje, është një zemër pulsuese, për të cilën duhet të kujdesemi të gjithë që ta mbajmë gjallë duke përcjellë mjeshtërinë e krijimit nga brezi në brez”, thuhet në mesazhin zanor të parapërgatitur nga ministria me rastin e kësaj dite të shënjuar për historinë e kulturën shqiptare.
ETNOGRAFJA ONUZI: SI MBIJETOI XHUBLETA VETËM NË ALPET SHQIPTARE
Në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë” në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, etnografja Afërdita Onuzi prezantoi studimin mbi veshjen e xhubletës dhe të varianteve të saj- si përfaqësuese të periudhave të ndryshme të jetës, dhe ndryshimin e modelit nga Dukagjini, Nikaj-Mërtur në Kelmend, prej gjysmës së dytë të shek. XIX deri në fillim të shek. XX. Në një intervistë për mikrofonin e “News 24”, etnografja Afërdita Onuzi ka rrëfyer veçantitë e risitë e librit të saj dhe rrugëtimin e kësaj pasurie për të ardhur deri në ditët e stome.
“Në këtë botim jam përpjekur të vë përballë, rrëfimin dhe përjetimet e mia, goditjen e parë për xhubletën dhe ndjesitë etnopsikologjike, estetike të banorëve, qoftë të burrave dhe të grave, të grave që e mbanin xhubletën dhe ua them me sinqeritet- dhe të burrave që vlerësonin gratë me xhubletë- ishin të më të bukurat, më të zonjat e tundej dheu kur kalonin çohej deti tallaz-tallaz, kur i shikonin në oborret e kishave”. Në ekspozitë, veshja u shfaq në arealin e saj etnografik, në mesin e karrigeve, stolave, ndriçuesve, enëve që i përkasin fundit të shek. XIX, ndërsa pyetja që shtrohet që nga Andromaqi Gjergji tek Afërdita Onuzi, është sërish ruajtja.
“Nuk dihet pse xhubleta arriti të mbijetojë vetëm në zonën e alpeve shqiptare, ndërkohë që ka pasur përhapje në gjithë pellgun e Mesdheut në këtë periudhë që themi 4 mijë vjeçare. Xhubleta kërkoi besë tek alpet shqiptare dhe alpet ia dhanë”, tha etnografja Onuzi. Në kuadër të Ditëve të Albanologjisë, u fol edhe për “Atlasin Etnografik Shqiptar: Kultura, Natyra, Arti”, që paraqiti rezultatet e punës kërkimore dyvjeçare të kërkuesve të IAKSA-s për “Fshatin Shqiptar Sot”, që kishte qëllim dokumentimin e shndërrimeve të mëdha që ka pasur moderniteti mbi fshatin shqiptar bazuar në kërkimet në 40 fshatra të Shqipërisë