Nga Ylli Manjani:
“Më ndjeftë perëndia, por ka disa kohë që nuk më shqitet nga koka dyshimi i arsyeshëm se Lulzim Basha vendosi për djegien e mandateve për të sfumuar hetimin që Amerika çeli ndaj Tij. E kam krijuar këtë dyshim këto kohë pasi dolën në publik disa fakte që lidhen me dëshminë e Nick Muzin.
Edhe atëhere vendimi për djegien e mandateve u nis dhe u bë fakt nga Basha personalisht. Deputetët reaguan, për hir të së vërtetës. Disa nuk pranuan djegien. Disa u shitën. Të tjerë u shantazhuan. Aq i pakonsultuar ishte ai vendim saqë edhe CDU aleatët politikë të vetëm që Ai kishte u çuditën.
Pra djegia nuk u menaxhua ashtu siç ishte qëllimi i saj. U la në rënie të lirë me qëllim. Nga njëra anë u bënë protesta, por nga ana tjetër të huajt negocionin për sigurinë dhe jo për hetimin… I duhej një ngjarje e madhe e fortë që të sfumonte hetimet Amerikane. Dhe në fakt e sfumoi, por me kosto të jashtëzakonshme për PD, Opozitën dhe Shqipërinë. Me thënë të drejtën më vjen keq për veten, nëse ky dyshim që kam të jetë e vërteta.
E kam mbështetur idenë e djegies së mandateve sepse Shqipëria politike që prej 2017, vendosi monizmin e rezultat zgjedhor të manipuluar. Duhej vërtetë diçka e fortë për ta denoncuar këtë realitet fals. Djegia e mandateve ishte vendim i fortë dhe denoncues. Ndaj e kam mbështetur. Edhe sot do ta mbështesja, po të ndodhte. Jemi prap në monizëm dhe me rezultat zgjedhor të deformuar.
Por nëse ky vendim i fortë u mor për çështje personale, siç faktet e sotme e sugjerojnë, atëhere ky është zhgënjim. Është nga atë zhgënjime që vështirë të shuhen apo zhduken nga memoria.Për mua Lulzim Basha është në mënyrë të arsyeshme “i dyshuar”, që për çështje personale i ka shkaktuar këtij vendi kosto të larta. Personalisht fal çdo njeri që më sulmon, por nuk ja harroj askujt që më zhgënjen”.