Ditën e djeshme, mbledhja e kryesisë së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, është shoqëruar me debate mes mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Lulzim Bashës.
Por qëndrimi i Bashës ka qenë i palëkundur, dhe i njëjtë me atë që ka mbajtur publikisht. Basha tha se ky ka qenë një prej vendimeve më të vështira që ka marrë, por paralajmëroi se nuk do të lejojë grupe me frymë anti-amerikane në PD, duke mos lejuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së. Në lidhje me këtë deklaratë të Bashës, ka reaguar edhe ish-ministri Ylli Manjani. Ai pyet Bashën se pse rri në krye të një partie baza e të cilës është anti-amerikane. Manjani e “këshillon” Bashën se , meqënëse e mban veten për amerikan, të iki nga PD dhe të gjejë ndonjë parti tjetër. “O zot, ç’ilaç të skaduar paska patur në krye PD gjithë këto vite”, shkruan Manjani, teksa shton me ironi se të gjithë prisnin rotacionin dhe ndryshimin.
Postimi i plotë:
Po mirë more çuni i beut, çdo që rri në krye të një partie baza e të cilës qenka anti-amerikane?! Meqë e mban veten për amerikan (megjithse ende pa vizë), ik nga ajo parti e shih e bëji hizmet vetes me ndonjë punë a parti tjetër.
Çdo me thënë kjo “nuk lejoj të mblidhet Kuvendi, se baza është anti-amerikane”?! O zot, ç’ilaç të skaduar paska patur në krye PD gjithë këto vite?!
E ne prisnim rotacionin!!! Prisnim demokracinë!!! Prisnim ndryshimin!!!