Gazetari Ylli Rakipi, ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”, ku ka folur lidhur me marrëveshjen e firmosur mes PD dhe LSI.
Në fjalën e tij, Rakipi është shprehur se; ka një shqetësim të çuditshëm për këtë koalicion dhe një numër analistësh, që po shqetësohen në mënyrë të pakuptimë për taktikën elektorale të opozitës. Ndër të tjera, Rakipi tha se; PD dhe LSI po mundohet të maksimalizojnë votat, me mënyrën që ata mendojnë se është më e mirë, por se thelbi i shqetësimit nuk duhet të jetë taktika e opozitës, por shembja e regjimit të Edi Ramës.
“Monika Kryemadhi dhe PD kanë marrë një vendim, të qartë dhe të thjeshtë. Ata mendojnë se ky është varianti që fitojnë. Zonja tha për të maksimalizuar votën. Të mos dalim ne, më katolikë se Papa.
Shoh nëpër televizione, njerëz të shqetësuar, bërtasin pse po vdes LSI e Beratit. Pse të shqetësohen kaq shumë?
Kryemadhi tha, po shkojmë në këtë luftë me idenë që do të fitojmë. Ne duhet ta pyesim cfarë do të bëjë nëse nuk fiton? A do të largohet ajo dhe zoti Basha? Nëse fitojnë, ne duhet t’ju heqim kapelen sepse largojnë një regjim.
Sot doli Elisa Spiropali dhe qante, thoshte ç’është ky koalicion, ç’janë këta njerëz që janë bashkuar? Qante Elisa, përse ka ardhur Agron Duka, pse ka ardhur Nard Ndoka…
Ne duhet të shqetësohemi, ore ky regjim që është instaluar a do të shembet? S’ka asnjë rrugë tjetër. Edi Rama shkatërroi cfarë donte, ndryshoi Kushtetutën dhe e vetmja mundësi është kjo. LSI është parti që ka vendosur pushtetin në mënyrë sistematike, duke qenë king maker.
Opozita ka bërë një veprim, që mendojnë se kjo taktikë, i çon drejt fitores.
Ka dy vjet që krijohen aludime, që Basha dhe Rama bëjnë koalicion. Kjo shpesh e ka tërbuar edhe LSI-në. Moralisht, me këtë marrëveshje, ata kanë bërë këtë veprim, i thonë dhe njerëzve dhe votuesve, jemi bashkë në zgjedhje, do të bëjmë qeverinë e ardhshme bashkë“, kështu deklaroi Ylli Rakipi.