Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas takimit te kryetarin e gurpit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, mesditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Ambasadorja Kim thotë se ka diskutuar për një sërë çështjesh me Alibeajn, të cilin e quan si kryetar të komanduar të PD-së, dhe kryetar të grupit parlamentar të kësaj force politike, pozicione që kundërshtohen nga PD e Sali Berishës.
“Diskutim shumë i mirë me kryetarin e komanduar të PD, dhe kreun e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj për një sërë problematikash. SHBA ka një marrëdhënie të fortë dhe të veçantë me PD, që nga lindja e saj. Ne e vlerësojmë marrëdhënien dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë dhe shpresojmë që të dyja të forcohen”, shkruan ambasadorja Kim.
“SHBA dhe Shqipëria kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomisë për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa”, përfundon mesazhi i ambasadores Kim pas takimit me Alibeajn.