Yuri Kim publikon fjalët e Ryerson dhe i jep mbështetje Bashës, e prerë se SHBA nuk do t’i lërë vetëm shqiptarët

0
95
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dërguar dje një tjetër mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha se Uashingtoni nuk do i lërë vetë shqiptarët në sfidën për demokraci. Ambasadorja reagoi dje me një status në rrjetet sociale duke dhënë mesazhe mbështetëse për liderin demokrat Basha, por dhe duke dërguar mesazhe të koduara për ish-kryeministrin Berisha. Ajo ndau me ndjekësit në rrjetet sociale një mesazh të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri në vitet 1991-1994, William Edein Ryerson. Në mesazhin e publikuar nga ambasadorja Kim, diplomati Ryerson kujton një moment tejet prekës, kur një polici shqiptar i rridhnin lotët, teksa dëgjonte fjalët e Sekretarit Baker: “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”.

“Teksa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, është mirë të kujtojmë veprimet e ndërmarra nga zyrtarë në të dyja vendet tona të cilat e bënë atë të mundur. Ndërsa Shqipëria nisi të dilte nga makthi i saj, njerëz të guximshëm atje lëvizën për të bërë atë rilidhje të mundur. Po ashtu në SHBA zyrtarë të mençur të DASH dhe vende të tjera të administratës sonë vendosën të lënë mënjanë dekada të tëra fyerjesh të drejtuara ndaj nesh dhe gjithashtu të shfrytëzonin hapësirën. Teksa Sekretari po fliste, unë po qëndroja pranë makinave të autokolonës. Baker tha; Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne. Shumë shqiptarë ishin atë ditë në sheshin Skënderbej. Treguan se mund të mblidheshin tek diçka që mund të besonin”, mbyllet mesazhi i Kim. Mesazhi i Ryerson është dhënë që në mars të këtij viti dhe fakti që ambasadorja e riktheu për shqiptarët është një mesazh shumë i qartë. Ryerson është ambasadori i parë dhe që ka pasur mbështetje të fortë për Berishën në atë kohë, por në një intervistë të pak javëve më parë ai i dha goditje të fortë ish-kryeministrit.

Berisha ka postuar shpesh foto me ambasadorin Ryerson dhe ka përdorur bashkëpunimin me të, për të treguar se ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA. Por, ambasadori e ka lënë në baltë duke përshëndetur vendimin e sekretarit amerikan Antony Blinken për shpalljen e tij “non grata”. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, pak javë më parë Ryerson u shpreh se shpallja e tij “non grata” tregon se po sfidohet  korruptuarit. Ai theksoi, se SHBA do të godasë çdo person që është i përfshirë në korrupsion pavarësisht se cili është ai.

“Ato që kanë ndodhur në Shqipëri janë inkurajuese, por edhe shumë zhgënjyese. Dikush më pyeti kohët e fundit se përse e bëri Sekretari Blinken këtë, përse jo një njoftim nga një prej zëdhënësve. Për mua ky është një sinjal kundër korrupsionit, jo vetëm për Shqipërinë, por se Uashingtoni do ta godasë korrupsionin sa herë ta shohë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë”, tha ai. William Ryerson, i pyetur për çështjen e shpalljes “non grata” të Berishës, duke iu përmendur fakti që në vitet ‘90 Berisha gëzonte mbështetje të madhe nga SHBA, ambasadori i parë amerikan në Tiranë, u shpreh se nuk ka rëndësi se çfarë ka bërë ish-kryeministri para 25 apo 30 vitesh.

Ai theksoi, se vite më parë ai mund të mos ketë qenë përfshirë në korrupsion, por është përfshirë më pas. Ai e shikon vendimin e DASH si një sinjal kundër korrupsionit, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. “Ajo që ka rëndësi është çfarë bën tani ky, apo ai person, ky, apo ai entitet. Ndoshta para 25-30 vitesh nuk ishin përfshirë në korrupsion, por janë përfshirë më pas dhe prandaj tani po merr vëmendje kaq të lartë”, deklaroi Ryerson.

Zjarr Tv Ad