Yuri Kim vazhdon të këmbëngulë në misionin e saj për të mbajtur një opozitë të dobët në vend, të përfaqësuar nga pakica.
Ajo ka shkelur këtë të martë një tjetër vijë të kuqe duke përkrahur atë palë në PD që edhe vota e zgjedhësve edhe vendimet e drejtësisë e kanë sanksionuar si minorancë. Gjatë një turi kontaktesh me faktorët politikë që dyshohet se ka në qendër zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ajo ka zgjedhur të takojë edhe kreun e grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeajn.
Por ajo që ra në sy në postimin që bëri më pas, ishte se ajo e cilësoi bashkëbiseduesin e saj si kreun në detyrë të PD-së. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ajo bëri apelin e zakonshëm për të mos parë nga e shkuara, por nga e ardhmja, duke iu referuar si gjithmonë Berishës.
Natyrisht askush nuk e obligon ambasadoren amerikane të mos jetë kundër atij që vendi i saj e ka shpallur ‘non grata’. Por ama nga ana tjetër, ajo nuk ka as tagrin, realiteti tregoi se nuk ka as fuqinë, për të imponuar se kush është kryetari i opozitës.
Si i tillë, qëndrimi i Yuri Kim nuk është veçse një provokim nga ata që bëjnë zakonisht ata që ndihen të pafuqishëm. Dhe që lëvizja e saj vinte era mistrecllëk, e tregon edhe një fakt tjetër. Turi i saj i takimeve ishte me faktorët parlamentarë.
Ajo takoi së pari Lindita Nikollën dhe pritet të takojë edhe Taulant Ballën. Edhe takimet i zhvilloi në zyrat e parlamentit dhe jo në selitë e partive. Atëherë pse duhet ta emërtonte Alibeajn, me funksionin më të dyshimtë dhe më të kontestuar, pra me atë të kryetarit në detyrë të PD-së?
Të gjithë e dinë se edhe diplomatët më amatorë nuk bëjnë gafa me emërtesat, ato gjithmonë janë të qëllimshme. Kjo gjë nuk ka shpjegim tjetër veçse me misionin për të mbajtur të përçarë opozitën dhe për t’i shërbyer atij regjimi me ikonat e korruptuara të të cilit pozon ditë pas dite me buzët vesh më vesh. Pikërisht kjo qasje e ka bërë një nga deputetët demokratë, pranë Berishës, Edi Paloka të shpërthejë:
‘Kjo zonja që uroi Ramën per ‘fitoren historike’ pa mbaruar akoma procesi zgjedhor me 25 prill; që ka dalë hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar ne rajon (siç e cilëson vetë Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe qe prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarrë një akt të fundit, gjithnjë në shërbim të të njëjtit qëllim’.
Në fakt e gjitha nuk mund të ketë shpjegim tjetër edhe pasi ndërhyri në garën e brendshme të PD-së, edhe pasi bëri thirrje se për kë duhet të votonin në 6 mars, ndonëse nuk u dëgjua, ambasadorja e SHBA, vazhdon të mbështesë me zell atë pjesë të vogël të opozitës që njëkohësisht mbështetet edhe nga regjimi i Edi Ramës. / Lapsi.al