Zamira Çavo: O shtet përse të të dua unë ty, kur ti nuk do t’ia dish për mua ?!

0
3865
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Prof. Zamira Çavo

Shteti është krijuar për njeriun e jo njeriu për shtetin! Kam një shtëpi të vjetër e nuk blej dot një të re, megjithëse kam një pagë të mirë si pedagoge. Ama di të tjerë, që në dukje me paga si unë, po kanë blerë vila në vendet më të bukura të horizontit shqiptar… Dhe unë nuk jam më pak e mençur se ata! Kemi një mjedis të ndotur që më ze frymën që kur dal nga shtëpia, çmimet më të larta në rajon por pagat më të vogla dhe të fortët që të shtypin në rrugë dhe bëjnë as burg. Kemi pensionist që kanë pagat më qesharake, që po sorollaten me aplikime online dhe që u rimbursohen ilaçet e oligarkëve, çuditërisht të skaduara. E ç’më duhet ky shtet?

Shteti është krijuar për njeriun e jo njeriu për shtetin! Kjo do të thotë se shteti në çdo rast, në demokraci, duhet të jetë në shërbim të qytetarëve! Për këtë ne taksohemi e i kemi dhënë shtetit jo vetëm një pjesë të vullnetit tonë, të lirive tona, por edhe të punës sonë të përditshme. Pse ia japim dhe madje ia japim me dëshirë!?

Sepse shteti duhet të mbrojë sektorin publik, sepse duhet të mbrojë lirinë e individit, sepse duhet të garantojë jetën tonë e të drejtat tona!

Por ç’po ndodh në këtë shtetin tonë 30 vjeçar? Sa më shumë “piqet” si shtet, aq më ashpër sillet me qytetarin.

Pse kjo revoltë?

Sepse kam një jetë të tërë që detyrimet e mia ndaj shtetit janë jo vetëm të rregullta, por edhe maksimale.

Sepse kam një jetë që i jap shtetit taksat e tatimet, si ia ka dashur qejfi atij, që është në pushtet. Dhe çfarë kam marrë nga detyrimet që shteti ka ndaj meje si individ?

– Paguaj para dhe për një vizitë të thjeshtë mjeksore.( Ah po më ka garantuar chack up-in.. që askush nuk e di përse vlen e askush nuk ka të dhëna…për saktësinë e tyre.)

– Kam një arsim të degraduar që po shkatërron tërësisht shoqërinë e që do ta varfërojë edhe më shumë qytetarin!

– Kam një mjedis të shkatërruar. Nëse nuk besoni ngjituni diku në ndonjë kat të lartë e shikojeni Tiranën që duket si xhungël e jo si kryeqytet! Një mjedis që të lodh shikimim me sheshe e bulevarde të shoqëruara me ferra e pisllëqe që njerëzit i hedhin vend e pavend! Nuk jam kundër kullave, por jam kundër “mbirjes “ së tyre në çdo pëllëmbë vendi të lirë. Pa projekte e pa kontrolle.

– Kam një mjedis të ndotur që më ze frymën që kur dal nga shtëpia..

– Kam çmimet më të larta se shumë vende të tjera në rajon dhe pse paga minimale te ne është më e vogël.

– Dal në rrugë dhe ruaj veten sy e vesh se ndonjë i “fortë” mund të më shtypë e ai i forti nuk bën as burg…

– Kam një shtëpi të vjetër e nuk blej dot një të re, megjithëse kam një pagë të mirë si pedagoge. Ama di të tjerë që në dukje me paga si unë, po kanë blerë vila në katër anët e pikave të bukura të horizontit shqiptar…Dhe unë nuk jam më pak e mençur se ata!

– Unë i paguaj shtetit 23 % tatim mbi pagë ndërsa biznesi i madh 8%…. Ndaj, ndërsa unë dikur e quaja veten “shtresë e mesme”, unë sot po i afrohem me shpejtësi shtresës së ulët…

– Po digjitalizojmë sistemin, por po varfërojmë pensionistët të cilët janë ende të pamësuar me teknologjinë e re dhe u duhet të paguajnë para për çdo aplikim online….

– Dhe me që ra fjala për pensionistët. A janë pensionet e tyre sa paga minimale? Iu rimbursohen medikamentet …po çuditërisht dalin të skaduara ose me probleme….

Dhe mos më thoni se përse revoltohem! Është e disata herë që them: E ç’më duhet ky shtet që as nuk do t’ia dijë për mua? Ama e di që vetëm nuk kam ç’ti bëj… e vetmja e drejtë që nuk u prish punë është fjala… e unë nuk kam fuqi tjetër veç fjalës!

Zjarr Tv Ad