Zbardhet amendamenti i PD/ Ja kush do të kalojë në ‘sitën’ e vetingut

0
109
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ndonëse vetëm një ditë më parë Partia Demokratike bëri të ditur nismën  e ligjin për vetingun e politikanëve, nuk ka humbur aspak kohë pasi sot ka bërë dorëzimin e këtij ligji në Kuvend.

Luzim Basha deklaroi vendosmërinë e opozitës për të pastruar një herë përgjithmonë politikën nga të inkriminuarit. Ai lëshoi sfidën e hapur për kundërshtarin e tij politik, të cilit i kërkoi të mos e pengojë.

Por kush preket nga vettingu për politikën?
Nis nga kryeministri, ministrat dhe çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi. Por nuk lihet mënjanë as Presidenti i Republikës.

Ata, sipas draftit të PD-së, dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal.

Nëse, kryeministri, ministrat, deputetët apo kryetarët e bashkive kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Kur nuk dorëzohet në kohë deklarata për figurën, apo përpiqet të bëjë deklarime të pasaktë, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Edhe kur nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra.

“ Kushtet, rregullat dhe organet përgjegjëse për zbatimin e mekanizimit të garantimit të integritetit të figurës së funksionarit publik, përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, theksohet në projektligjin e PD, që me fjalë të thjeshta do të ndiqet e njëjta mënyrë siç u bë me vettingun në sistemin e drejtësisë (KPK apo KPA).

Po ashtu mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

 

Zjarr Tv Ad