Kryeministri Edi Rama do të jetë gjatë dy ditëve në vazhdim, në dy vizita pune në Azerbajxhan dhe në Turqi. Nga Gjermania ku ishte në një vizitë zyrtare pune, nesër Rama do të shkojë në Baku dhe më pas në Stamboll.
Kreu i qeverisë shqiptare do të ketë një takim “kokë më kokë” me presidentin e vendit, Ilham Aliyev, do shkojë në memorialin e varrezave të dëshmorëve, dhe më pas do të takohet me kryetaren e Kuvendit dhe kryeministrin e Azerbajxhanit.
Ky takim pune me kreun e vendit azer vjen në një kohë kur bota po përballet me një krizë të fortë çmimesh për shkak të luftës në Ukrainë. Nuk përjashtohet mundësia që kryeministri dhe presidenti Aliyev të bisedojnë dhe për gazsjellësin TAP, i cili kalon përmes vendit tonë por ne nuk përfitojmë.
Referuar axhendës së siguruar nga newsbomb.al, Rama të premten do të fluturojë direkt nga Baku në Stamboll, në atë që do të jetë një takim i posaçëm me përfaqësues të kompanisë “Tubitak”. Kjo e fundit prodhon raketa për dronët “Bayraktar”.
Gjatë një vizite të mëparshme në Turqi, kryeministri Rama u takua me përfaqësues të lartë të shtetit turk dhe u dakordësuan për marrjen e dronëve specialë, por deri tani në vendin tonë nuk ka mbërritur asnjë i tillë. Rama vetë ka thënë se dronët do përdoren për kontrollin e territorit.
Axhenda e vizitës zyrtare së Kryeministrit të Shqipërisë, EDI RAMA në Azerbajxhan, dhe vizitës së punës në Turqi – Baku/Stamboll, 14-15 Prill 2022
E enjte, 14 prill
07.00 – Fluturim i posaçëm drejt aeroportit ndërkombëtar “Heydar Aliyev”
13.40 – Takim tete-a-tete me z. Ilham Aliyev, President i Republikës së Azerbajxhanit
16.00 – Vizitë në memorialin e varrezave të dëshmorëve
16.30 – Takim bilateral me znj. Sahiba Gafarova, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Azerbajxhanit
18.00 – Takim bilateral me z. Ali Asadov, Kryeministër i Republikës së Azerbajxhanit
E premte, 15 prill
11.00 – Fluturim i posaçëm drejt aeroportit të Stambollit
13.30 – Takim me përfaqësues të kompanisë “Tubitak”