Zbardhet koha kur Komisioni i Venecias do të publikojë opinionin, për `fatin` e presidentit Meta

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ditën e djeshme në Tiranë zbarkoi një delegacion faktmbledhës i Komisionit të Venecias, i thirrur nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, për çështjen e qëndrimeve kushtetuese apo antikushtetuese, të presidentit Ilir Meta. Delegacioni pati një axhendë të ngjeshur me takime duke mos lënë jashtë asnjë nga palët në spektrin politik, por duke takuar edhe të gjithë krerët e shtetit. Pas këtij zhvillimi, opinioni publik është në pritje të opinionit të këtij komisioni, për të kthjelluar situatën konfliktuale mes mazhorancës dhe presidentit të vendit, veçanërisht me rastin e dekreteve për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në një prononcim për gazetën “Shekull”, Komisioni i Venecias ka zbardhur edhe kohën kur do të publikojë opinionin e vteë për këtë çështje duke deklaruar se: ‘Arsyeja e këtij delegacioni ka të bëjë me vetë kërkesën që ka bërë Kreu i Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me rolin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të dekretuar një datë tjetër për zgjedhjet lokale. Gjithashtu Komisioni i Venecias thekson se janë duke e ndjekur nga afër situatën politike në Shqipëri, por duke qenë se ata janë vetëm një institucioni ligjor këshillues, nuk mund të prononcohen për ngjarjet e caktuara politike që ndodhin në Shqipëri. Draftin përfundimtar, Komisioni i Venecias do ta bëjë publike në muajin tetor’.

A mundej Presidenti Ilir Meta të zhdekretonte datën e zgjedhjeve vendore, të dekretuara po prej tij?

Kësaj pyetje do t’i japin përgjigje juristët e huaj, të cilët i nisën dje misioni e tyre faktmbledhës që në 8 të mëngjesit me takimet me politikanët dhe zyrtarët shqiptarë. Fillimisht ata takuan përfaqësuesin e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe atë të LSI-së, Klajda Gjosha. “Diskutuam një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE. Qeveria do duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave, ne merremi me një çështje të rëndë, që është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen, për të mbuluar raportin e OSBE/ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde. Parlamenti dhe mazhoranca kërkojnë të bëjnë politikë me çdo gjë”, u shpreh Gjosha. Pas takimit ish-deputeti Bylykbashi deklaroi për mediat se Kushtetuta e thotë mjaft qartë se kush e shkarkon Presidentin dhe se Parlamenti kërkon që të fusë në këtë lojë të turpshme dhe institucionet ndërkombëtare. Sipas Bylykbashit, presidenti Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri. “Kushtetuta është e qartë, Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese nëse ka shkelur Kushtetutën. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në Shqipëri. Kjo është një nga detyrat fisnike që duhet të luajë dhe ka luajtur Presidenti. Parlamenti po përpiqet që të shkarkojë Presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare që janë të qarta në lidhje me këtë”, u shpreh Bylykbashi.

Përfaqësuesi i mazhorancës parlamentare, Taulant Balla pas takimit me ekspertët e Venecias u shpreh se socialistët janë të vendosur ta çojnë përpara punën e komisionit hetimor. Përmes një postim në Tëitter, Balla ka shprehur mirënjohjen e tij për gatishmërinë dhe mendimin e Komisionit të Venecias lidhur me rastin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta. “Mirënjohës Komisionit të Venecias për gatishmërinë e tyre për të dhënë mendim në Parlamentin shqiptar. Një procedurë e fajësimit të Presidentit po ecën përpara në një rast të shkeljes së rëndë dhe arbitrare të Kushtetutës”, shkruan Balla. Më pas takimet e juristëve të Venecias vijuan me opozitën parlamentare, me drejtuesit e grupeve parlamentare, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni, si dhe me deputetët e tjerë si Lefter Maliqi, Adriatik Alimadhi dhe Myslim Murrizi. Kriza politike ka qenë në fokusin e takimeve me deputetët e opozitës, por edhe më pas me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. “Pyetjet që ata bënë nuk ishin më shumë pyetje teknike, por ishin politike se çfarë do të ndodhë. Edhe njëherë dua të them se ne vazhdojmë të jemi sa më konstruktivë si opozitë parlamentare dhe shikojmë se çdo aktor, i të gjitha palëve, mundohet të japë versionin e tyre se çfarë po ndodh. Por në fund, do të jetë delegacioni që do të japë një opinion për atë se çfarë po ndodh”, u shpreh deputetja Hajdari pas takimit.

Zjarr Tv Ad