Zbardhet vendimi që gjykatësi i lexoi Tahirit, çfarë pritet të bëjë sot ish-ministri i Brendshëm?

0
24

Nuk jam kriminel, nuk jam trafikant dhe nuk jam pjesë e një grupi kriminal. Kjo ishte gjithçka që ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri arriti të kuptojë mbrëmë nga vendimi i Gjykates për Krimet e Rënda, i marrë pas mbi 10 orëve këshillim mes treshes së gjyqtarëve Flora Hajredinaj,  Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka. “As nuk qesh, e as nuk qaj dot”, – tha Tahiri për gazetarët, teksa la Gjykatën pak para orës 22:00 kur kishte shkuar prej orës 09:00 të mëngjesit. Një pritje e gjatë për një nga gjyqet më të rëndësishëm ndër vite. Gjithçka ishte pjesë e hetimeve 2 vjeçare të Prokurorisë për Krime të Rënda, nga nëntori i 2017-ës, u sfumua.

Gjykata e shpalli të pafajshëm ish-ministrin për të treja akuzat e rënda që kishte ngritur organi i akuzës: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Ish-ministri i Brendshëm u dënua për shpërdorim detyre! Kjo akuzë nuk ishte e artikuluar nga Prokuroria, por u ngrit e re nga gjykata, që në gjuhën juridike quhet, kualifikim i veprës penale. Një procedurë e ndodhur rrallë në historinë e proceseve gjyqësore. Nuk do të bëjë asnjë ditë burg, por megjithatë, ish-ministri nuk do të ndalet në atë që e quan majën e betejës. “Beteja sapo ka filluar”, tha ai mbrëmë para gazetarëve.

Vendimi i Gjykatës ishte i tillë: 5 vite burg për shpërdorim detyre, që me gjykimin e shkurtuar ulet me 1/3 dhe shkon në 3.4 vite burg. Edhe këtë masë, Gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove me kushtin që të mos kryejë vepër penale dhe të mos ushtrojë funksione publike për 3 vjet.

Por cili ishte vendimi që lexoi kryesuesi i trupës gjykuese, Ardit Mustafaj?

“Deklarimin të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i kodit penal dhe dënimin e tij me 5 vjet burgim

Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Saimir Tahiri për veprat penale të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar 363 a paragrafi i dytë i kodit penal pasi nuk vërtetohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet bazuar në nenin 338 pika 1 gërma d të Kodit Penal.

Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Saimir Tahiri për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3,4 vite burg. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal pezullohet dënimi e burgim për të pandehurin dhe vënien e tij në provë për një afat 3 vjet me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Heqja e së drejtës të të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 3 vjet bazuar në nenin 35 paragrafi 2 i Kodit Penal”, u shpreh Ardit Mustafaj, kryesuesi i trupës gjykuese.

Por si ka mundësi që akuzat e trafikantit të drogës dhe bashkëpunimin me grupin e strukturuar kriminal të drejtuar nga Mojsi Habilaj në trafikun e kanabisit nga Shqipëria në Itali, ish-ministri të dënohej për një akuzë të re: Shpërdorimin e detyrë!…Për të cilën mbi të gjitha nuk do të bëjë asnjë ditë burg.

Edhe për vetë atë ishte e çuditshme!

“Më lanë edhe mua pa fjalë si gjykata më quajti përgjegjës për shpërdorim detyre se disa kushërinj të mi përdorën emrin tim. Të presim, edhe unë jam kureshtar ta rilexoj atë që dëgjova. Gjykata tha se nuk je trafikant, kriminel apo pjesë e një grupi kriminal, por meqë disa kushërinj përdoren emrin tënd shpërdorove detyrën.

Do të ishte më mirë ta kishin bërë si burrat të më dënonin për trafik, se kështu është qesharake. Sigurisht që do ta apeloj. Më lini ta përtyp se nuk di se cfarë të them më shumë. Isha më qartë kur hyra se tani kur dola. Është si të shkosh në një provim, mësuesja të thotë se ke mësuar shumë mirë, por hajde të vendos një pesë.  Si t’ia bëj për të gjithë kushërinjtë idiotë në fis duhet të mbaj përgjegjësi. Ju falenderoj se për dy vite keni ndjekur procesin e shekullit dhe u katandis kokoshi në thelë”, tha ai.

Por edhe dita e sotme pritet të jetë mjaft intensive për ish-ministrin e Punëve të Brendshme. Mbrëmë ai u shpreh se do të shfaqë ditën e sotme të gjithë qëndrimin e tij publik, dhe Shqiptarja.com mëson se prej mëngjesit të sotëm ai është duke punuar mbi përmbajtjen e asaj që do të shprehet gjatë ditës në një konferencë për mediat. Një deklaratë që siç mëson Shqiptarja.com, ka vështirësitë e saj për tu shkruar, për shkak të paqartësive në lidhje me vendimin e Gjykatës, i cili do të dojë ditë të zbardhet me argumentet e plota nga Gjykata për Krime të Rënda.

Por teksa ish-ministri nuk do të bëjë asnjë ditë burg, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u dënua nga gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vite burg, që ulet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.