Presidenti Ilir Meta reagon për varrin masiv me viktimat e diktaturës komuniste, që raportohet se është zbuluar sot ne Permet. Sipas Metës, institucionet shtetërore duhet zbardhin të vërtetën.
“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës. I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.
Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.
Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë”, shkruan Meta.
Varri masiv thuhet se ka një hapësirë prej të paktën 100 metra katrorë dhe është zbuluar nga firma ndërtuese e një prej rrugëve, në një lagje të Përmetit. Firma ndertuese ka informuar autoritetet policore dhe këto të fundit kanë rrethuar zonën në fjalë.