Mijëra objekte argjendi të një familje aristokrate ruse, që u fshehën nga bolshevikët, janë ekspozuar për herë të parë në ish kryeqytetin perandorak të Shën Petersburg, pasi u gjetën nga disa punëtorë ndërtimi. Më shumë se 2000 objekte argjendi me vlerën e 2 milionë dollarëve u shfaqën në pallatin Tsarskoye Selo, një nga ish rezidencat e carit që tani është kthyer në muze.
Thesari, që përmban filxhan çaji, figura zbukurimi, tabaka dhe takëm, dikur i përkiste familjes aristokrate Narshykin, një nga më të pasurat në vendit, që u detyrua të ikte jashtë pas Revolucionit të vitit 1917.
Për më shumë se një shekull, argjendi qëndroi i fshehur në një rezidencë në Shën Petersburg, që i përkiste familjes.
“Një zbulim i këtij lloji është jashtëzakonisht i rrallë, një thesar i plotë, që i përket i gjithi të njëjtës familje dhe është ruajtur mirë. Është unike,”-tha Olga Taratynova, shefja e muzeut të Tsarskoye Selo.
Koleksioni i fshehur u gjet aksidentalisht në vitit 2012 gjatë riparimit të banesës në qendër të qytetit.
Ndërtuesit dëmtuan një mur me tuall dhe gjetën një dhomë të fshehtë ku qëndronte thesari.
Sipas mediave lokale, ndërtuesit u përpoqën të vidhnin argjendin por u kapën me ‘presh në duar’.
Vitin e kaluar, shteti rus ia dorëzoi të gjithë thesarin muzeut Tsarskoye Selo. Koleksioni ishte pothuajse në kushte të përsosura sepse ishte ruajtur me kujdes, i mbështjellur me gazeta dhe letra.