Zëri i Amerikës: OSBE/ODIHR nxjerr raportin e vëzhgimit për 30 qershorin, s’u mor në konsideratë interesi i elektoratit

0
13

OSBE/ODIHR deklaroi në raportin përfundimtar se zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën, thekson raporti. “Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike” – thuhet në raport.

Në gjysmat e bashkive kandidatët garuan pa kundërshtarë, ndërsa vëzhguesit morën pretendime të besueshme nga qytetarët për presione nga të dyja palët. “Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv mbajtjen e zgjedhjeve” – thuhet në raportin e ODIHR-it.

Vëzhguesit thanë se shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.

“Ekuilibri politik i parashikuar me ligj brenda administratës zgjedhore nuk u arrit për shkak të refuzimit të partive kryesore opozitare për të emëruar komisionerët e tyre dhe interpretimit më pas të KQZ-së se vetëm ato parti që marrin pjesë në zgjedhje mund të përfaqësohen në administratën zgjedhore. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi” – theksoi raporti i ODIHR-it.

Vëzhguesit pohuan se gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në tubime dhe në media ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza.

“Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të shfaqur preferencat e tyre politike” – theksoi raporti.

Vëzhguesit pohuan se fushata zgjedhore ishte e padukshme; përveç afishimeve për edukimin e zgjedhësve, ODIHR-it vuri re një numër të vogël posterash dhe shenjash të tjera që tregonin për zgjedhje të afërta.

“Shumë kandidatë i shprehën Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve së ODIHR-it vështirësinë për motivimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votim. Aktivitetet e kufizuara të fushatës mbetën në hije për shkak të zhvillimeve në shkallë vendi që i thelluan edhe më tej ndarjet e hershme politike. Debatet mbi një numër të madh temash politike u dominuan nga çështja e mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive kryesore opozitare dhe nga diskutimet rreth datës së zgjedhjeve” – raporton ODIHR.

Raporti thotë se votimi më 30 qershor u krye pas një sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin. “Disa kryetarë bashkish u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve” – theksoi ODIHR-i.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, megjithë disa raste të izoluara tensionesh dhe përplasjesh në një numër të vogël komunitetesh.

“Pjesëmarrja në votim varionte nga një bashki në tjetrën, ndërkohë që në shkallë vendi, KQZ-ja deklaroi se ajo arriti 21.6 përqind” – thotë raporti.

OSBE/ODIHR pati rreth 250 vëzhgues në zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri, dhe raporti pritej me shumë interes nga publiku dhe partitë politike.