Akademiku dhe pedagogu i njohur Artan Fuga, i ftuar në News 24 ka folur lidhur me sistemin e drejtësisë në vendin tonë, dhe konkretisht për SPAK.
Ai tha se ende SPAK nuk është në fazën që të jetë krejtësisht i pavarur, pasi edhe fakti që është dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve, dëshmon se ende nuk është plotësisht i pavarur.
“Nuk jam një njeri që km interesimin për atë gjënë konkrete që ka ndodhur tek zgjedhja e kreut të SPAK, por e shikoj në një pamje më të gjerë. Në çfarë situate ndodhet sistemi gjyqësor shqiptar? Ndodhet në një kontradiktë me dy anë të cilat është shumë vështirë të kombinohen dhe deri tani nuk kanë kombinuar dot. Ana e parë është që reforma e 2016 tregoi se ne kishim dhe kemi një mungesë të madhe në ndarjen e pushtetit. Ndarje pushteti gjyqësor nga pushteti politik, ekzekutiv.
Pra ndarja e drejtësisë nga politika. U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve n ë2016 që të ndërmerrej një reformë në mënyrë që të bëhej nën ndikimin e faktorit të jashtëm sepse politika shqiptare kushte krijuar këtë simbiozë që e bënte gjyqësorin të mos vepronte në mënyrë të pavarur. Ana e dytë, kjo bëri që gjyqësori të funksionojë me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kjo mbështetje nga jashtë vjen sepse sistemi politik shqiptar nuk krijon dot ndarjen e pushteteve. Në momentin që faktori i jashtëm bën këtë çarje, ndodh që përsëri pavarësia e gjyqësorit në sytë e publikut nuk sigurohet, sepse krijohet një ndikim nga jashtë, që krijon probleme me kushtetutën dhe konceptet që kemi për sovranitetin.
Kjo bën që SPAK të ndodhet brenda këtyre kontradiktave dhe të mos ketë mundësinë të veprojë lirshëm. SPAK ende ndodhet para pengesave politike që e bëjnë atë të mos e ketë të fituar atë kapacitet për të vendosur drejtësi dhe për të çuar para luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Jemi akoma në një situatë katastrofike pasi ka çështje që nuk shqyrtohen, ka vonesë, që do të thotë se një shoqëri që nuk jep drejtësi në mënyrë të shpejtë, është shumë shumë e rëndë”, u shpreh ai.