Çdo shtetas shqiptar, i cili plotëson kriteret dhe që do të emërohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si anëtar KZAZ, në vendet e lëna bosh nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane, do të paguhet nga 350 deri në 650 mijë lekë të vjetra.
Qytetarët jopartiakë, të cilët do të emërohen si anëtarë të KQZ në rast bojkoti nga ana e opozitës, gëzojnë të drejtën e shpërblimit në përputhje me përcaktimet e vendimit të KQZ nr. 6, datë 12.01.2017, njëlloj si anëtarët e propozuar nga partitë politike. Ky vendim ka përcaktuar masën e shpërblimit në vlerën 65.000 lekë për kryetarin dhe zv.kryetarin e KZAZ-së, për angazhimin nga momenti i konstituimit deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në vendim është përcaktuar masa e shpërblimit edhe për anëtarët e komisioneve të tjera të administrimit të zgjedhjeve të 18 Qershorit.
“Të caktojë masën e shpërblimit në vlerën 60.000 lekë për anëtarët dhe sekretarin e KZAZ-ve, për angazhimin nga momenti i konstituimit deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Të caktojë masën e shpërblimit në vlerën 4.000 lekë për Kryetarin e KQV-së. Të caktojë masën e shpërblimit në vlerën 3.500 lekë për anëtarin dhe sekretarin e KQV së. Të caktojë masën e shpërblimit në vlerën 6.000 lekë për anëtarin e Grupit të Numërimit të Votave”, thuhet në vendimin e KQZ.
Në caktimin e masës së shpërblimit, KQZ ka marrë në konsideratë kohën e funksionimit të këtyre komisioneve, ngarkesën e punës si dhe përgjegjësinë e tyre në administrimin e procesit zgjedhor në zonën e administrimit zgjedhor. Sipas përcaktimit të nenit 28, pika 1, KZAZ-ja ngrihet 90 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të jetë në detyrë deri në dorëzimin në KQZ të dokumentacionit zgjedhor përkatës. Sipas nenit 36, pika 2, propozimet për anëtarët dhe sekretarin e KQV-së bëhen jo më vonë se 30 ditë para ditës së zgjedhjeve. KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-së jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve. Në çdo rast emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve.
Anëtarët e KQV-së janë në detyrë deri në dorëzimin e kutisë së votimit dhe materialeve zgjedhore në VNV. Në bazë të nenit 95 të Kodit Zgjedhor, për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së caktohen Grupet e Numërimit të Votave 10 ditë para datës së zgjedhjeve. Grupet e Numërimit janë në detyrë deri në përfundimin e numërimit të votave për të gjitha qendrat e votimit të zonës së administrimit zgjedhor./Shqiptarja.com