Zgjedhjet e ardhshme/ Kryekomisioneri Celibashi: Numërimi të bëhet në vendin ku votohet! Bushka: Opozita të sjellë anëtarët për Reformën Zgjedhore

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

MARIGLEN KUME/ Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sugjeron forcat politike që në reformën e ardhshme zgjedhore të sanksionojnë që numërimi i votave për nxjerrjen e rezultatit të bëhet në vendin ku votohet.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve gjatë ditës së djeshme, kreu i KQZsë u shpreh se në qendrat e votimit tani ka kamera dhe siguria e procesit është më e lartë, ndaj numërimi në vend do të shkurtonte kohën e nxjerrjes së rezultatit. “Përbërja e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta duhet të rikonsiderohen, të kenë anëtarë nga KQZ, pra, të ketë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë të KQZ dhe jo vetëm nga partitë politike.

Gjithashtu, ka nevojë për qartësim të financimit të subjekteve zgjedhore. Ka nevojë që të konsiderohet edhe procedura e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit. Të konsiderohet numërimi i votave në qendrat e votimit. Tani që kemi disa përmirësime në lidhje me sistemet e sigurisë dhe garantimin e procesit në qendrat e votimit. Do jetë me dobi edhe shtrirja e votimit elektronik edhe në njësi të tjera administrative. Shqetësim mbetet vonesa në vendosjen në dispozicion të fondeve për organizimin e zgjedhjeve”, tha Celibashi.

Në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar, numri i votave të pavlefshme arriti rekord, gati 5% të totalit të numrit të votuesve. I pyetur nga deputeti Alibeaj nëse kishte një analizë se nga se erdhi kjo shifër e lartë, Celibashi sqaroi se referuar analizës së bërë, shkak ishte përmbajtja e fletës së votimit. Kujtojmë që para zgjedhjeve debati për fletën e votimit ishte i lartë ku PS kërkonte që kandidatët të identifikoheshin me numra ndërsa PD me emra. Duket se identifikimi i kandidatëve me numra ka qenë shkaktari kryeso i numrit të lartë të fletëve të votimit të pavlefshme. “Kemi bërë një analizë mbi natyrën e pavlefshmërisë së votave dhe kemi një raport në lidhje me këtë.

Sipas asaj që kemi analizuar, 41% të fletëve të pavlefshme është votuar në dy parti e më shumë. 25% e votave të pavlefshme është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një vote tjetër. 15% e votave të pavlefshme për shkak të shënimeve dhe 19% për arsye të tjera, ndërsa sa lidhet me sistemin elektoral këtë s’e them dot. Kjo lidhet me mënyrën e përmbajtjes së votimit. U vendos që të pasqyroheshin me numra, por s’e themi dot nëse do të kishte kaq apo jo vota të pavlefshme”, vijoi Celibashi.

Sakaq, në vazhdim të përgjigjes së pyetjeve të deputetëve, Celibashi u shpreh se KQZ tentoi të realizonte votimin e emigrantëve, por nuk kishte vullnet nga partitë politike. “Në 2021 KQZ u angazhua për të mundësuar votën e emigrantëve. Në mungesë të të gjitha konsideratave nga faktori politik, KQZ nuk vazhdoi më tepër. Ndaj nuk kemi informacion në lidhje me votimin nga jashtë. Ne kemi një punë fillestare kemi draftuar disa akte, por ka pasur mungesë konsiderate nga partitë politike. Sa i përket shitblerjes së votave dhe patronazhistëve nuk mund të them më shumë sesa ODIHR. I qëndron rigorozisht çfarë ka konstatuar ODIHR.

Çështja e shitblerjes së votës nuk lidhet me KQZ”, tha Celibashi. Në përfundim të seancës dëgjimore, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, i bëri thirrje opozitës që të depozitojë anëtarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore në mënyrë që të mos ndodhë si më parë që të miratohen ndryshimet ligjore pak kohë para zgjedhjeve.

DEBATI

Ndërkohë, socialistët nuk ngurrojnë t’i përmendin opozitës krizën e tyre të brendshme sapo jepet mundësia. Dje ishte rasti i replikave mes Alibeajt dhe Gogut. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzoi Gogun duke bërë relatim të raportit të KQZ sikur në Shqipëri të mos kishte ndodhur asgjë në 25 prill dhe sipas Alibeajt fshihej e vërtetë. Por Gogu tha se zgjedhjet u certifikuan dhe se Alibeaj duhet të marrë praktikat e KQZ për zgjedhjet e brendshme në parti, që sipas tij të mos përfundojnë gjykatave.

Enkelejd Alibeaj: Gjithçka që është thënë deri tani është dukur si çudi. Në ka pasur argument që është trajtuar më shumë se kushdo ka qenë çështja e zgjedhjeve. Kemi pasur raporte të ODIHR të DASH. Por raporti i komisionerit është më i rëndësishëm. Kështu që nuk besoj se ndokush do mërzitet që faktet që unë do të sjell do të duken si përsëritje.

Toni Gogu: Kanë ndodhur zgjedhjet në vendin tonë dhe humbi partia e z. Alibeajt, siç është certifikuar edhe nga Komisioneri Zgjedhor. Më pas ndodhën sërish zgjedhje në Partinë Demokratike dhe sërish humbi ajo pjesë që përfaqëson z. Alibeaj. Kështu që nuk do ishte keq që të huazonin praktikat e miradministrimit zgjedhor që aplikon KQZ. Këtë ta marrin e ta aplikojnë në parti. Ta aplikojnë në mënyrë që të shmangin shkuarjen edhe në Gjykatë.

Zjarr Tv Ad