Pas fitores plebishitare në muajin prill, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, synon të çimentojë pushtetin edhe nëpërmjet shumicës parlamentare. Partia e tij dhe një tjetër forcë e sapoformuar politike kryesojnë përballë politikanëve të konfirmuar. Zelenski thotë se një qeveri teknokrate do e kthente Ukrainën në një nga vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në Europë.
Në Ukrainë po zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, të shpallura para kohe nga presidenti Volodimir Zelenski me marrjen e detyrës dy muaj më parë.
Partia e tij e quajtur “Shërbëtori i Popullit” pritet të marrë gati gjysmën e mandateve, çka do e lejonte 41-vjeçarin të vinte në jetë pa vonesa reformat kundër korrupsionit, ambiciet për t’iu bashkuar familjes europiane, dhe zgjidhjen e konflikteve në rajonet rebele proruse në lindje të vendit.
Rivalët e Zelenskit, ish-presidenti Petro Poroshenko dhe ish-kryeministrja Julia Timoshenko, parashikohet të marrin përkatësisht nga 8 dhe 9 për qind të votës, bazuar në sondazhet paraprake.
Kreu i ri i shtetit është deklaruar kundër një koalicioni me të dyja partitë, duke u shprehur më i hapur për një bashkëpunim me forcën politike “Zëri”, që është formuar rishtas nga një yll i muzikës vendëse.
Edhe qytetarët duket se kërkojnë të ndahen nga politika e vjetër.
“Votova për t’i dhënë fund korrupsionit, hajdutërisë dhe pandëshkueshmërisë së atyre në pushtet. Jemi të lodhur nga politikanët profesionistë që kanë një jetë në parlament, duam të rinj,” thotë një sipërmarrës 37-vjeçar.
“Kam ardhur të votoj për Shërbëtorët e Popullit dhe për t’i dhënë Zelenskit shansin të sjellë në jetë të gjitha ndryshimet që na premtoi,” shprehet një mësues.
Votimet e së dielës pritet të mbyllen në orën 19, ndërsa në përfundim të tyre do të zgjidhen 225 kandidatë nga listat partiake dhe 200 të tjerë drejtpërdrejt nga zgjedhësit.