Zgjedhjet lokale, Rama si Alfred Çako

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Armand Shkullaku

Turi paraelektoral, që kryeminstri Rama ka nisur në vigjilje të zgjedhjeve lokale të 14 majit, po dëshmon se strategjia e partisë në pushtet edhe këtë herë do të jetë ajo e stigmatizimit të kundërshtarëve dhe e kushtëzimit të alternativave tek e “keqja më e vogël”. Fabula e rublave ruseve, e tradhëtisë kombëtare, e frontit anti perëndimor, etj, që fillon e mbaron tek Sali Berisha, është deri më tani refreni i vetëm i një force që ka 10 vite që qeveris vendin. Një force që kërkon të mbetet në pushtet jo si rezultat i arritjeve të veta, por gjithnjë si pasojë e “fajin e ka Saliu”.

Shkëputja e raportit me ata që e kanë votuar dhe të cilët ka përgjegjësinë për t’i qeverisur, e ka transformuar Edi Ramën dhe organizatën e tij, në një makinë propagandistike që, këtë herë, diskursit lokal të “frontit të së keqes” po mundohet t’i japë edhe një veshje ndërkombëtare, që shkon nga konspiracionet e opozitës me Kremlinin e deri tek tonet patritotike e sovraniste që rreken të manifestohen sa në Këshillin e Europës e po aq në mediat e huaja.

Kjo lloj manovre politike, që po shndërrohet në një çelës për të lexuar çdo gjë që ndodh në vend, po mbyll derën kryesore nga duhet të kalojë politika e një mazhorance, atë të të kuptuarit të shqetësimeve të qytetarëve dhe përgjigjes ndaj këtyre shqetësimeve. Mjafton si shembull për të kuptuar këtë, reagimi i partisë në pushtet për protestën e opozitës në 12 nëntor. Asnjë përfaqësues i saj nuk ka shtruar deri tani pyetjen më normale; dakort Berisha dhe Meta, po ata dhjetra mijëra njerëz që dalin në rrugë, a kanë të drejtë të protestojnë? Çfarë i bën sot shqiptarët, që jo vetëm në rrugë, por edhe në sondazhe, të jenë në shumicë dërrmuese të pakënaqur me qeverisjen? A mjaftojnë petullat me rubla dhe spiunë për të mbushur tryezat e tyre?

Partia Socialiste qeveris sot vendin në të gjitha bashkitë e tij. Ka kryetarët, ka 100 përqind të këshillave bashkiakë, ka të gjithë tepsinë e qeverisë qëndrore, ka parlamentin ku kalon çdo ligj që dëshiron, ka policinë, ka drejtësinë e re, ka ndërkombëtarët dhe satelitët në hapësirë, pra nuk ka asnjë pengesë për të realizuar atë program për të cilin e kanë votuar. Në prag zgjedhjesh, marrëdhënia katër vjeçare me votuesin, do të kërkonte që të flitej pikërisht për këtë bilanc mes premtimeve dhe realizimeve. Për më shumë, si kurrë ndonjëherë, qeverisja lokale ka qenë ekskluzivisht në duart e një force të vetmë politike.

Kryetari i kësaj force do të duhej që të ballafaqohej sot me qytetarët për t’u dhënë adresë shqetësimeve të tyre. Kush i ka penguar krerët lokalë të rrisin mirqënien e qyteteve të tyre, pse ende nuk është zgjidhur furnizimi me ujë të pishëm 24 orë, si e kanë administruar buxhetin e bashkive që vazhdojnë të pluskojnë në borxhe, si ndodhi që qindra milionë euro të rilindjes urbane përfunduan në shurrëtore publike dhe gropa ku gëlojnë bretkosat. Kush janë përfituesit e tenderave e koncesioneve dhe si janë shpenzuar paratë e taksapaguesve lokalë, kush ka përfituar nga lejet e ndërtimit dhe si ka ndodhur që tokat ku nuk lejoheshin ndërtimet u mbuluan nga betoni pasi ato u blenë nga klientët e qeverisë.

Për këto çështje e plot të tjera, që janë pasojë direkt e menaxhimit lokal nga një dorë e vetme dhe ndikojnë çdo ditë në jetën e qytetarëve, do të duhej ballafaqimi elektoral si kontratë katër vjeçare e të zgjedhurve me zgjedhësit. Mirëpo të dëgjosh kryeministrin e vendit, të ngjan sikur bashkitë i ka drejtuar Berisha me Metën sipas porosive të Putinit dhe sigurimit të shtetit. Ai madje ka gjetur dhe një togfjalësh, që e përsërisin pa e kuptuar papagajtë e tij, “rubla çorba”, me shpresë se përdorimi i emrit të një prej grupeve të rokut nacionalist serb do ta zhvendosë debatin për qeverisjen lokale në frontin e Lindjes. Edi Rama në këtë demarsh ka shkuar aq larg sa po rivalizon denjësisht edhe konspiracionistin me famë, Alfred Cako. Në takimet paraelektorale, ku njerëzit presin të dëgjojnë për hallet e tyre, Rama shpjegon se si një parti ruse, në vitin 2011, paska blerë “frontin e tradhëtisë” për të votuar në Parlamentin Europian rezolutën e Dik Martit dhe 6 vjet më vonë, e ka shpërblyer PD me 500 mijë euro pasi Putini donte të rrëzonte qeverinë e Tiranës.

I gjithë ky konspiracion, i denjë për filmat e Netflix, po shpaloset sot kur është koha për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi për qeverisjen vendore. Mirëpo Edi Rama, shtetit të të cilit i kanë dalë të gjitha sekretet në pazar, në vend të gjërave tokësore i ka dhënë vetes një mision hyjnor: ta na shpëtojë ne dhe perëndimin nga “forcat dhe aleancat e errësirës”. Mund ta bënte dhe më thjeshtë, mjafton të këmbente vendet me Alfred Cakon. Qeverisja nuk do ishte më keq dhe historitë që do dëgjonim padyshim më të bukura. ©lapsi.al

Zjarr Tv Ad