ELBASAN
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë Taulant Balla e konsideroi procesin e zgjedhjeve që po zhvillohen sot për delegatët e PS, si një shenjë domethënëse e funksionimit të demokracisë. Në një prononcim për mediat Balla tha se janë rreth 1500 kandidatë të cilët garojnë për 706 vende në të gjithë territorin dhe se votimi kryhet në 363 qendra votimi
“Në të gjithë territorin e vendit po vijon procesi i zgjedhjes së delegatëve të Kongresit të PS, i cili është institucioni më i rëndësishëm i përfaqësimit të drejtpërdrejtë i anëtarëve të partisë.
Prej këtij procesi, në muajt shkurt e mars do të dalin edhe institucionet e reja drejtuese të PS. Pas Kongresit do të zgjidhet Asambleja e re Kombëtare dhe Kryesia e re e PS.
Ky proces, i votimit një anëtar, një votë i delegatëve buron nga një proces parapërgatitor që erdhi nga mbledhjet e organizatave socialiste ku u propozuan kandidatët. Janë rreth 1500 kandidatë të cilët garojnë për 706 vende në të gjithë territorin. Votimi kryhet në 363 qendra votimi.
Në një qendër votimi, ajo e Njësisë nr.8 në Tiranë, procesi i votimit po zhvillohet, sipas teknologjisë së votimit “offline”.
Ndërkohë që kemi një pjesë të anëtarëve të cilët po votojnë online në ëeb-in përkatës të ngritur për këtë qëllim.
Gjithashtu do të kemi votimin me postë për një pjesë të shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të vendit.
Për këtë proces janë angazhuar më shumë se 1100 komisionerë në 60 bashki të vendit.
Për Partinë Socialiste, ky është një proces tepër i rëndësishëm që ka të bëjë, jo vetëm me forcimin e strukturës organizative të vetën, është një shenjë domethënëse e funksionimit të demokracisë vertikale, brenda PS-së, sepse janë anëtarët e PS, më shumë se 103 467 anëtarë, të thirrur për të votuar.” u shpreh Balla.