Mbrëmë në sheshin “Skenderbeu” në Shkup ka nisur fushatën presidenciale kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka.
Në konventën e tij promovuese, me moton “Reka për Republikën”, Reka ishte i shoqëruar nga kreu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela dhe i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në praninë e mijëra qytetarëve, të cilët edhe shpalosën mbështetjen e tyre për Rekën.
Ata shprehën arsyet se përse po e mbështesin këtë kandidaturë presidenciale si dhe sa do të ishte e padrejtë për votuesin shqiptar sikurse këto zgjedhje të mos e kishin asnjë kandidat shqiptar.
Kandidati për president, Blerim Reka duke iu drejtuar qytetarëve, theksoi se të pranishmit në këtë konventë po dëshmojnë konsensusin midis shqiptarëve.
“Prania juaj është ujdia e shqiptarëve të bashkuar, sepse shqiptarët e përçarë, paraprakisht duhet të arrijnë konsensusin me vëllanë, sesa konsensus me fqinjin. Mos lejoni t’ju bindin që edhe pas 30 vitesh ju duhet të mos votoni vetveten. Me 21 prill bëhuni vetvetja”, theksoi Reka, raporton Koha.net.
Ai bëri thirrje që vota e qytetarëve të shkojë atje ku duhet dhe të mos shitet.
“Votoni kundër aksham-pazareve. Vota juaj është e shenjtë, as nuk shitet e as nuk falet. Ajo është e juaja. Dilni masovikisht, pavarësisht nga cila parti jeni, dëshmoni se nuk jeni 20%, ashtu siç na trajtojnë me vite”, u shpreh ndër të tjera kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Blerim Reka.