Parlamenti i Bosnje dhe Hercegovinës, të enjten, zgjodhi kryeministrin e ri të vendit. Zoran Tegeltija do të jetë kryetar i Këshillit të Ministrave, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.Në fjalimin e tij para parlamentit, Tegletija tha se rruga evropiane e vendit është çështja kryesore me të cilën do të merret gjatë ushtrimit të mandatit.
“Për më shumë se një vit, Bosnje dhe Hercegovina nuk ka arritur të formojë qeverinë. Është detyrim i ynë të kompensojmë kohën e humbur në periudhën e ardhshme”, tha Tegeltija.
Kryeministri i ri i Bosnjës, i takon Unionit Social Demokrat të udhëhequr nga anëtari serb i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik. Tegeltia, gjithashtu tha se Këshilli i Ministrave duhet të zbatojë reformat sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdojë procesi i integrimit evropian.
Bosnje dhe Hercegovina ka qenë pa qeveri në nivel federal, për më shumë se një vit, sepse liderët e partive nuk arritën një marrëveshje pas zgjedhjeve. Mospajtimet kryesore kishin të bëjnë me miratimin e Planit Vjetor Kombëtar, dokument që përafron vendin me Aleancën Veriatlantike (NATO).
Anëtari serb i presidencës, Millorad Dodik ka kundërshtuar miratimin e planit.