Zhvillimi i teknologjive financiare, Sejko pret delegacionin e Bankës Botërore

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga zj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri dhe z. Mario Guadamillas, Menaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin. Takimi u zhvillua në kuadër të projekteve të përbashkëta që Banka e Shqipërisë po zhvillon me Bankën Botërore si pjesë e instrumentit “Kredia për Politikën e Zhvillimit (Development Policy Loan)”.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar kontributin që jep Banka e Shqipërisë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit. Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të favorshme në ekonomi dhe stimujt e nevojshëm në tregjet financiare. Aktualisht, tregjet karakterizohen nga norma të ulëta interesi, situatë e mirë likuiditeti, qëndrueshmëri në rritje e kursit të këmbimit, dhe një trend rritës kreditimi.

Në veçanti, kredia për sektorin privat ka vijuar të përshpejtojë ritmin e rritjes, duke shënuar një normë mesatare rritjeje prej 7.4% në dy muajt e parë të tremujorit të tretë. Trendi pozitiv i kreditimit ka përfituar nga rritja e kërkesës dhe e ofertës për kredi. Përmirësimi i ofertës dëshmon rrezikun në rënie të kreditimit në vend, sikundër ilustrohet nga rënia në 11% e nivelit të kredive me probleme në muajin gusht.

Pjesë e diskutimit gjatë këtij takimi ishte dhe zhvillimi i teknologjive financiare, të njohura sot në botën financiare me termin Fintech. Zhvillimi i tyre përbën një potencial të madh për vendin që duhet shfrytëzuar, por gjithmonë duke ndjekur një zbatim efektiv që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar. Kjo gjë duhet të shoqërohet dhe me rritjen e edukatës financiare si një komponent i rëndësishëm për sigurimin e një aksesi më të gjerë në shërbimet financiare dhe rrjedhimisht në potencialin kreditues.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Bankës Botërore përgëzuan Guvernatorin Sejko dhe Bankën e Shqipërisë për suksesin e arritur gjatë zbatimit të projekteve të përbashkëta, për të cilat Banka e Shqipërisë ka treguar angazhimin maksimal. Ata u ndalën te përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të zbutur hendekun midis ofertës dhe kërkesës për kredi, si një mundësi për të rritur potencialin e kreditimit në vend. Një shtysë të re në këtë drejtim pritet të japë edhe zbatimi i rregullores së re për trajtimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve të përbashkët në disa banka, në vështirësi financiare, e ashtuquajtur “Tirana Approach”.

Një vend të veçantë gjatë diskutimeve zuri dhe aksioni më i ri i Bankës së Shqipërisë për vënien në jetë të një plani masash me fokus kreditimin, të hartuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat tregtare dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave, që synon përmirësimin sasior e cilësor të kreditimit dhe zgjerimin e gamës së produkteve financiare. Përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin dhe zbatimin e mëtejshëm të këtij plani.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat do të fokusohen në çështje të lidhura me edukimin financiar, shërbimet e pagesave, nxitjen e mëtejshme të kreditimit dhe atë të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, sot u zhvillua edhe një ëorkshop i përbashkët i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore me temë “The role of the financial sector as catalyst for economic groëth”, nën drejtimin e Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj dhe pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të institucioneve qeveritare dhe aktorëve kryesorë të sistemit financiar.

Zjarr Tv Ad