Për herë të parë, Forumi i Arkitektëve ndërkombëtarë dhe Inxhinierëve është zhvilluar në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj prezantoi disa nga projektet e rëndësishme të realizuara në Tiranë.
“Tirana e Re, në vitet e ardhshme do të jetë në anën tjetër, atje ku ndodhet Bulevardi i Ri. Kemi bërë sheshin ‘Skënderbej’ dhe ‘Pazarin e Ri’, dy projekte që janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Por, pyetja është ‘Cila është sfida më e vështirë arkitekturore?’. Për mua nuk është infrastruktura masive, por 10 centimetrat në kokën tonë. Kjo është hapësira më e vështirë që duhet të ndryshojmë. Shumë prej nesh e mendojnë transformimin vetëm në termat e elementëve të hapësirës fizike, ndërkohë që duhet të ndryshohet mentalitet”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Veliaj i cilësoi si të shëndetshme diskutimet për projekte që zhvillohen në Tiranë. Ai iu rikthye edhe njëherë debateve për projektin e teatrit.
“Është e shëndetshme të kesh një debat për propozimin e Bjarke Ingels për teatrin. Është e shëndetshme të kesh një debat për projektin thuajse të përfunduar të Casamontit për stadiumin. Është e shëndetshme të kesh një debat për ‘Pyllin Orbital’ të Stefano Boerit, për të parë se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha më tej Veliaj.
Ai solli në vëmendje edhe debatet që pati në fillim për kendet e lodrave të fëmijëve, ndërkohë që numëroi 43 të tilla në Tiranë.