Zjarri në Greqi, 6 shqiptarë dalin nga spitali, një tjetër rëndë

0
203
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në ditën e tretë të tragjedisë që shkaktoi zjarri apokaliptik që rrafshoi rajonin e Atikës, në Greqi, vetëm një qytetar shqiptar vazhdon të jetë ende në spital.

Bëhet fjalë për 60-vjeçarin Viktor Cenko, me origjinë nga Narta i cili ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit Evangjelismos në Athinë.

Ai ka djegie të shkallës së tretë në mbi 85% të trupit. E kontaktuar nga Klan, ambasada shqiptare në Athinë konfirmoi se 6 shqiptarët e tjerë që po merrnin ndihmë mjekësore kanë dalë nga spitali.

Raportohet gjithashtu se edhe dy gra të tjera me origjinë shqiptare rezultojnë të zhdukura, por ky lajm mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht.

Me kalimin e orëve bilanci i viktimave sa vjen e rritet. Zyrtarisht numërohen 84 viktima, rreth 200 të lënduar, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. 11 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore, në spitalet e Athinës, gjendja e tyre sa vjen e përkeqësohet.

Një tjetër trup i shkrumbuar u gjet në oborrin ku u gjetën 26 trupa të karbonizuar, të përqafuar me njëri tjetrin. Ekipet e emergjencave janë ende në garë me kohën, për gjetjen e të zhdukurve, por shpresat mbeten të pakta.

Nisur nga numri i lartë i personave të zhdukur, mediat në Greqi raportojnë se bilanci mund të jetë edhe më i rëndë, mbi 100 viktima. Në total numërohen mbi 750 shtëpi të djegura.

Në një vizitë në fshatin Mati, ministri i Brendshëm grek, Panos Kamenos, u përball me zemëratën e banorëve, për reagimin e ngadaltë të shtetit dhe mungesën e një plani emergjence.

Ende i pa rimëkëmbur nga gërmadhat që la zjarri masiv, Greqia po përballet me një tjetër katastrofë, atë të stuhisë së shirave që kanë pushtuar rajonin e Atikës.

Autoritetet mbeten në ankth pasi zonat e shkatërruara nga zjarri mund të përmbyten, për pasojë mbledhja e viktimave bëhet edhe më e vështirë.

Zjarr Tv Ad