Zoto shpenzoi zero lekë për incineratorët, mori kredi me garant shtetin

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk kanë shpenzuar asnjë para nga buxheti i tyre për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier. Edhe pse kontrata e koncensionit për këto dy vepra publike parashikonte që të ndërtonin impiantet me fondet e tyre, në realitet Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë siguruar paratë nëpërmjet kredive të marra në banka të nivelit të dytë duke lënë si kolateral aksionet e tyre dhe kontratat konçesionare.

Klodian Zoto dhe grupi i tij i biznesmenëve nuk kanë shpenzuar asnjë para nga buxheti i tyre për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier. Dokumentet zyrtare dëshmojnë se investimet janë kryer me kredi bankare, për të cilat kanë vendosur kolateral pikërisht kontratat koncensionare të nënshkruara me qeverinë shqiptare.

Kontrata e koncensionit për këto dy vepra publike parashikonte që ‘Albtek Energy’ dhe ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ të ndërtonin impiantet e përpunimit të mbetjeve me fondet e tyre. Procedurat paraprake për këto dy koncensione kanë kaluar në të gjithë filtrat qeveritarë. Në to është pranuar se kompanitë fituese kanë pasur mundësitë financiare dhe projekte konkrete.

Në realitet, grupi i biznesit të plehrave, përveçse nuk ka pasur përvojë në ofrimin e këtij shërbimi, nuk ka pasur as mundësi minimale financiare për ndërtimin e inceneratorëve. Në 29 Qershor 2015, kompania ‘Albtek Energy’, e drejtuar zyrtarisht nga Stela Gugallja, miraton vendimin për marrje kredie me një bankë të nivelit të dytë.

Sipas vendimit të kompanisë, ajo vendos si kolateral të gjithë aksionet e saj, kontratën koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit të nënshkruar në Dhjetor 2014, si edhe kontratën e furnizimit për impiantin e incenerimit të mbetjeve. Pra, duket qartë që ‘Albtek Energy’ ka vënë në dispozicion të bankës gjithçka që ka pasur mundësi, për të siguruar financimin e ndërtimit të impiantit të djegies së mbetjeve.

Rezultati. ‘Albtek Energy’ ka fituar kontratën koncensionare pa pasur asnjë mundësi financiare. E njëjta situatë përsëritet me kompaninë ‘Integrated Technology Ëaste Fier’. Kompania që drejtohet në shumicë absolute nga Klodian Zoto fiton kontratën koncensionare për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier në Tetor 2016.

Edhe në këtë rast, kompania merrte përsipër që të ndërtonte landfillin dhe inceneratorin me fondet e veta dhe më pas të paguhej me këste nga qeveria. Por, kompania e Zotos nuk ka pasur mundësi financiare. Një muaj pasi nënshkruhet kontrata koncensionare, kompania private nënshkruan me një bankë të nivelit të dytë ‘Marrëveshje Siguruese’.

Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, kompania e Zotos vendos peng të gjithë aksionet e saj, kontratën koncensionare dhe kontratën për blerjen e impiantit të djegies, në këmbim të një kredi bankare afatgjatë. Në të dy rastet, kompanitë e grupit Zoto nuk kanë përdorur lekë të tyre, por kanë rriskuar kontratat koncensionare. Në rast se ato do të dështonin në realizimin e projekteve, banka do të merrte kontratat koncensionare, të cilat në fakt janë pronë shtetërore.

Zjarr Tv Ad