“Nuk besoj se në këto dy muaj ka diçka më të rëndësishme për t’u trajtuar publikisht sesa Paketa Fiskale 2022, – nënvizoi sot kreu i Shoqatës së Eksportuesve, z. Alban Zusi në një intervistë, në të cilën theksoi se plaga e kësaj Pakete është informaliteti. E nëse do të kishte një pikë konkrete, më të rëndën për t’u veçuar në të, është ajo e 6-përqindshit për produktet bujqësore. “Një Paketë Fiskale nuk është thjesht një rrjetë peshku për të mbledhur para; Paketa Fiskale në radhë të parë duhet të ketë funksionin e vet zhvillues”, shpjegoi Zusi në emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV.
Dori: Gjatë gjithë kësaj periudhe, ju dhe të gjithë prodhuesit kanë pritur një paketë të tretë mbështetjeje financiare nga qeveria, ndërkohë që në vend të kësaj, vjen një Paketë Fiskale që e rëndon dhe më shumë situatën. Pse rëndohet situata, pse rriten çmimet dhe si do të jenë problematikat me të cilat do të përballemi të gjithë në vitin 2022, nëse nuk rishikohet?
Alban Zusi: Në parantezë dua të them se është tërësisht i kuptueshëm objektivi i qeverisë dhe nevoja e saj për të mbledhur më shumë para, pasi me shumë të drejtë gjatë vitit të pandemisë dhe për pasojë dhe tërmetit, u hodhën shumë para që u morën borxh e duhen kthyer, duhen rikuperuar. Por, në këtë kontekst, qeveria do të bënte mirë të diskutonte, të konsultohej me biznesin se si ato para të merren në Buxhetin e Shtetit, sepse ka nevojë për stabilitetin makroekonomik, por në të njëjtën kohë ato para të mos rridhnin nga rritja e taksës për njësi – por nga zgjerimi i bazës që paguan dhe nga shtimi i njësive që prodhohen, pra nga rritja e prodhimit. Ajo çfarë konstatohet tek kjo Paketë Fiskale është më e rënda, sepse njerëzit merren jo 6-përqindshi, jo 60-lekëshi e kjo e ajo. Më e rënda fare për mua është mungesa e vizionit të zhvillimit. Një Paketë Fiskale nuk është thjesht një rrjetë peshku për të mbledhur para. Paketa Fiskale në radhë të parë duhet të ketë funksionin e vet zhvillues.
Dori: Ç’do të thotë kjo?
Alban Zusi: Do të thotë së pari se në çfarë kushtesh që ka Shqipëria, se ka plagë dhe probleme. Plaga e saj kryesore është informaliteti. Sa kjo Paketë e zgjidh problemin e informalitetit? Sa përpiqet të marrë para nga ato që nuk paguhen fare, që nuk janë fare në skemë? Pastaj të mendojmë për të shtuar para nga ata që janë duke prodhuar. Flavio: Po thoni se Paketa Fiskale nuk afron asnjë zgjidhje për të tatuar të gjithë në mënyrë të drejtë dhe taton ata që kanë bërë “gabimin”, që kanë paguar rregullisht taksa deri tani?
Alban Zusi: Absolutisht. Ky është dhe problemi i kësaj pakete për mua. Më shumë se ato tre-katër pikat që rëndojnë, është mungesa e vizionit dhe procedura e bërjes së Paketave pa konsultim publik, pa njerëzit që kanë në dorë të mbushin Buxhetin e Shtetit. Por në rastin konkret, vetëm ajo pika e 6% e produkteve bujqësore e cila (në parantezë dua t’ia them publikut dhe ligjbërësve se personalisht nuk më krijon asnjë lloj problemi, jam në zero konflikt interesi), ajo është jashtëzakonisht rënduese se, në qoftë se pas 2014-ës kur u bë rregullimi i TVSH-së, i sistemit fiskal të produkteve bujqësore, numri i NIPT-eve të fermerëve nga 3000 vajti në 40 mijë brenda dy vitesh, një formalizim dhjetëfish e të gjithë fermerët që dorëzonin qoftë edhe 100 lira qumësht në muaj kishin një numër llogarie pranë bankave dhe filluan të shkonin në bankë dhe të merrnin edhe kredi nga bankat, jo vetëm nga fondacionet me nga 20-25 përqind – në vitin 2019 e në vijim jo vetëm që nuk është shtuar asnjë NIPT, por përkundrazi, informaliteti ka kaluar në nivele ekstreme. Janë të kapura deri diku industritë e qumështit se shesin nëpër supermarkete, por gjithë të tjerët që shesin fruta-perime, që shesin mish, ai fermeri që shet dy herë në vit një qingj, të gjithë po punojnë jashtë sistemit fiskal.
Flavio: Paketa fiskale ka pasur një parashikim që u duk më tepër si presion për gjobvënie ndaj industrisë së qumështit dhe një “tradhti” ndaj qytetarëve shqiptarë sa i takon raportit të shtetit me qumështit pluhur. U hoq akciza dhe sot asnjë nga prodhuesit e mëdhenj nuk thotë nëse ka qumësht pluhur brenda shisheve të tyre. Ç’ do të thotë kjo për konsumatorin shqiptar?
Alban Zusi: Po përgjigjem, megjithëse ju siguroj se nuk është ky problemi më i rëndësishëm i paketës. Qumështi pluhur është më shumë një ingredient. Nuk është një zëvendësues i drejtpërdrejtë i qumështit të fermerëve. Sot fermerët kanë nevojë të paktën siç flas dhe me industrialistët, dikush thotë 20-30 mijë litra qumësht më shumë në ditë, dikush thotë deri në 80 mijë litra qumësht më shumë në ditë, që do të thotë se sado qumësht pluhur të vijë dhe edhe sikur të dyfishohet, nuk arrin të konkurojë me nevojën që kemi për qumësht të freskët. Kjo është e para.
E dyta, qumështi i freskët nuk mund të konkurohet nga qumështi pluhur, se vetë fakti që qumështi pluhur ka kaluar në disa trajtime industriale dhe pastaj duhet ta kthesh përsëri në gjendjen e tij normale, do të thotë se ka një kosto më të lartë. Qumështi pluhur është një zgjidhje që bëhet nga industritë e vendeve evropiane për të menaxhuar tepricat e qumështit në momente të caktuara dhe përdoret si ingredient në disa produkte. Duke qenë se përdoret si ingredient, kryesisht tek kosi dhe akullorja, përdoret më tepër si trashës, për të rritur masën e thatë. Duke qënë se përdoret në njësi shumë të vogla, 2-3 përqind, nuk deklarohet për sa kohë është i së njëjtës natyrë, qumësht e ndryshon vetëm për faktin se nuk ka ujë e në këtë kontekst edhe mund të mos deklarohet, po flasim në bazë të ligjeve ndërkombëtare, nuk e di se çfarë parashikon ligji shqiptar. Por ajo që ndodhi me qumështin pluhur ishte një paradoks, sepse duke u taksuar qumështi pluhur për t’u përdorur si ingredient në produktet shqiptare, duke iu rritur kostoja prodhuesve shqiptarë, nuk ndodhi e njëjta gjë me produktin e gatshëm që vjen nga jashtë që ka në përbërjen e tij qumështin pluhur.
Pra, praktikisht, ne bëmë një ligj, një rregullim për të rritur kostot e prodhuesit vendas e për ta bërë më pak konkurues ndaj importit. Prandaj unë kam përshtypjen se po zgjidhet kjo çështja e qumështit pluhur, por do të shtoja edhe diçka që ma tha një prodhues, përpunues qumështi, që qumështi pluhur në kushtet e absurdit fiskal që ka ndodhur me produktet bujqësore që blihen me 6% dhe shiten me 20%, prodhuesi vendas për të kompensuar këtë mungesë, këtë diferencë të TVSH-së që ia krijon ky sistem absurd (që nuk e di se cili prej pushtuesve të këtyre 100 vjetëve të fundit do të kishte pasur kurajon t’ia bënte shqiptarëve ose cila qeveria fqinje që jemi në konkurencë me to do të kishte kurajon ta propozonte një absurd të tillë) në kushtet e kësaj diference pra, qumështi pluhur ka shërbyer për të shtuar përsëri informalitetin sepse një pjesë e bizneseve, ndonëse mund të marrin po themi 1000 kg, pluhur qumësht, faturohen për 2000 apo për 3000 për të pasur TVSH-në, ndërkohë që importuesi pastaj e shet diku tjetër tek prodhuesit informalë pa faturë dhe çfarë bëmë?! Thjesht shtuam masën e informalitetit./SYRI.NEt