Zv.ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt, James Appathurai, në një konferencë mbi situatën kibernetike në Shqipëri garantoi ndihmën teknike që do i jepet vendit tonë për të ndërtuar një rrjet mbrojtës ndaj sulmeve kibernetike.
“Ne e shohim që Shqipëria po pëson sulme shumë të rënda, të mëdha kibernetike. Por nuk jeni vetëm se ne do ju mbështesim. Doja të theksoja përpjekjet që ka bërë shteti shqiptar për të përballuar këto sulme që janë bërë. Ndihma ka ardhur nga NATO në nivel teknik por dhe në nivel individual nga kompani dhe struktura të ndryshme. Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur”.
Zv.ndihmës Sekretari tha se do të shihen gjithashtu “nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë. Për faktin e sulmeve në një shkallë të gjerë dhe për një kohë të gjatë që janë bërë në drejtim të një vendi të NATO si është Shqipëria, mund të jeni të sigurt për mbrojtjen praktike të aleancës”, tha ai.
Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri, për të asistuar qeverinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike.
Vizita vjen pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg. Delegacioni kryesohet nga zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai.