Zvërneci është pjesë e projektit të “100 fshatrave” turistikë, por investimet e premtuara ende nuk janë vënë në zbatim.
Problemet e banorëve nisin në pikën ku ndahet rruga që të çon drejt Manastirit me atë që të çon brenda në fshat. Deri aty vjen asfalti.
“Deri tek kryqëzimi që ikën për tek Manastiri është problem. Këtu thanë që do të bëhet fshati turistik, do të shtrohet rruga, do të vijë ujësjellësi, e shumë e shumë premtime të tjera, që siç i shikoni këtu nuk janë vënë në zbatim”
“Bashkia kishte mundësi, bëri rrugën e Manastirit për interesat e veta. Tani, rruga që kryqëzimi e deri këtu nuk po vë dorë njeri brenda fshatit nuk interesohet njeri”, shprehen banorët.
Por uji i pijshëm është problematika më jetësore me të cilën përballen banorët.
Thonë se furnizohen një herë në disa ditë dhe uji që u shkon nuk pihet.
“Uji këtu vjen një herë në katër-pesë ditë dhe ka raste që vonohet dhe më shumë. Uji nuk mund të përdoret, për të pirë e as për të gatuar. Edhe për të larë është problem”,shprehet banorja
Banorët thonë se ujin e paguajnë edhe pse nevojat jetësore i plotësojnë me puset që kanë hapur në mënyrë private dhe me të blerë. Ato thonë se u është premtuar shumë, sidomos në kohë fushate, por thuajse asgjë nuk është bërë.
Problematikat pa zgjidhje në 3 dekada kanë nxitur braktisjen. Kjo ka bërë që 95 % e banorëve në këtë fshat janë moshë e tretë. Të rinjtë që kanë emigruar drejt shteteve të tjera, rikthehen vetëm në verë.
Për shkak të mungesës së fëmijëve, shkolla është mbyllur.
” Ja e shikoni shkollën, kishte 8 klasë dhe shikojeni se si është katandisur. Shteti nuk ka vënë dorë në fshatin e Zvërnecit”, shprehet banorja.