Presidenti Ilir Meta, bën me dije se ka pritur në zyrë paraditen e kësaj të mërkure një grup të rinjsh të programit të OSBE-së në Shqipëri “Youth Trail”. Ky program synon të promovojë bashkëpunimin e rinisë shqiptare me bashkëmoshtarët e tyre nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“I lumtur të takoja një grup të rinjsh të programit të OSBE-së në Shqipëri “Youth Trail”, që synon të promovojë bashkëpunimin e rinisë shqiptare me bashkëmoshtarët e tyre nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në bashkëbisedimin e ngrohtë dhe të hapur, ku mori pjesë edhe Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo Del Monaco, theksova rëndësinë e angazhimit dhe përfshirjes aktive të të rinjve në politikë dhe vendimmarrje, për të përshpejtuar proceset integruese të vendeve tona dhe konsoliduar arritjet e deritanishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ka ardhur koha për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar dhe ndërvepruese, veçanërisht për të nxitur llogaridhënien në çdo nivel dhe refuzuar politikat qeverisëse, që nuk i dëgjojnë, nuk i përfshijnë dhe nuk ju japin asnjë mundësi për të shpalosur potencialet e tyre.
Shqetësimi im i madh është shpopullimi, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen e vendeve tona, veçanërisht të Shqipërisë. Është thelbësore të rikthejmë shpresën dhe besimin tek të rinjtë, për t’u krijuar të gjitha hapësirat për të ndërtuar në vendin e tyre, të ardhmen e sigurt europiane”, shkruan presidenti Meta.