Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo pati sot takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës.
Thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës. Para largimit nga Tirana, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, foli me Zërin e Amerikës mbi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit.
Ndihmës Sekretarja jep detaje dhe mbi takimin që pati sot me deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilët i konsideron si drejtues të opozitës duke shpjeguar se biseda ishte përqendruar jo te e kaluara, por tek e ardhmja.
Zonja Donfried nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur, siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha.
Në intervistën ekskluzive me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Tiranë Armand Mero, Ndihmës Sekretarja e Shtetit ndalet dhe te ndikimi në Ballkan i agresionit rus në Ukrainë.