Zyrtari i lartë i BE jep lajmin: Shtyhet dialogu Kosovë-Serbi

0
2

Një takim i ri midis Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, i paraparë të zhvillohet të hënën në Bruksel, është shtyrë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin.

Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një postim në Twitter.

Ai tha se temë e diskutimeve do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore midis dy vendeve. Lajçak nuk dha detaje se për sa kohë është shtyrë takimi i radhës.

Disa shtete të Evropës, përfshirë Belgjikën, janë duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus. Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Procesi është zhvilluar gjatë gjithë kohës me ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së. Këtë muaj në Uashington, dy palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.