Valdrin Pjetri, fitues i votimeve mono-partiake për Bashkinë e Shkodrës, i cili mund të humbasë mandatin pa e marrë ende detyrën për shkak të problemeve kriminale në të shkuarën, në Itali, rezulton të jetë bashkëpronar i një hoteli luksoz në Tiranë.
“Privilege hotel &spa” është një prej godinave të reja të shërbimit në zonën e Mjull-Bathores, në Farkë. Zona ku është ndërtuar hoteli është ndër më të preferuarat gjatë viteve të fundit në Tiranë dhe është populluar nga pasanikët e rinj të kryeqytetit.
Hoteli “Privilege” ka përfunduar ndërtimin në vitin 2017 dhe kjo dëshmohet nga fakti që kompania “Trigen Investment” e ka shënuar si adresë kryesore të aktivitetit të saj zonën e Farkës.
Dokumentat e siguruara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit tregojnë se “Trigen Investment” ka tre ortakë; Valdrin Pjetrin, vëllain e tij Dritan Pjetri, si edhe shtetasin Angjelin Gjergji, me nga 33% të aksioneve secili.